Shumë armë ilegale në duart e kosovarëve, kapet në flagrancë 25-vjeçari në Prishtinë

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve.

Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona, kryesisht të rinj që posedojnë armë dhe sillen lirshëm me to.

Një rast i tillë është zbuluar së fundmi në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë, ku Policia ndali për kontroll një 25-vjeçar, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Sinjali mëson se gjatë kontrollit policor në çantën e të dyshuarit, Policia ka gjetur një armë zjarri, që i dyshuari e mbante pa autorizim.

Për pasojë, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tij, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.

Lexo edhe:  Manastiri bëhet edhe me 7 ari tokë në qendër të Deçanit