Shtrenjtim pas shtrenjtimi: Rritje pagash në letër e gërryerje të fuqisë blerëse në realitet

Çështja e tarifave të energjisë elektrike është shndërruar tashmë në një cikël të përsëritur vjetor, por konteksti makroekonomik i vitit 2026 e bën situatën shumë më problematike. Këtë vit, ndryshe nga një vit më parë, terreni është goxha më i rënduar. Fuqia blerëse vazhdoi të hollohet përgjatë gjithë vitit 2025.

Korrupsioni i pastër publik, i ushqyer nga vendime ‘shkel e shko’, pa debat gjithëpërfshirës, pasojën e vet më të vogël sado të rëndë e ka shtrembërimin e barazisë dhe të garës së ndershme në zgjedhje. Pasojat reale, ato që e sakatojnë mirëqenien e përditshme, na fshehen në faturat mujore.

Në shqyrtimin tarifor të vitit 2025, rritja e pagës minimale u shfrytëzua si argument rregullator nga KESCO për të justifikuar rritjen e tarifave me 16.1%. Kjo rritje nuk mbeti e izoluar. Rritja me apo pa arsye shkaktoi një efekt domino në ekonominë e gjerë, duke kontribuuar në rritjen dyshifrore të çmimeve të mallrave të konsumit gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025.

Bëhej fjalë për vendimin e Qeverisë për ta rritur pagën minimale në 350 euro bruto në vitin 2024, tek në fund të mandatit katërvjeçar dhe vetëm pasi inflacioni kumulativ kishte arritur në rreth 24 për qind deri në fund të 2024-ës. Pra, pagën minimale u kujtuan ta rrisin kur një pjesë e madhe e vlerës së saj reale ishte tashmë gllabëruar nga çmimet.

Përtej faktit që kjo pagë minimale vështirë se lë gjurmë reale përballë gërryerjes katërvjeçare të fuqisë blerëse, në fillim të vitit pasues në 2025 pasoi shtrenjtimi i energjisë elektrike për 16.1 për qind. Ky shtrenjtim, siç paralajmëruan ekonomistët, nuk mbeti i izoluar në faturat e rrymës: ai u përkthye në rritje të përgjithshme të çmimeve. Pasojat u ndjenë veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit 2025, kur çmimet e produkteve bazë hynë në një trajektore pothuaj eksponenciale rritjeje, me mallra elementare që u rritën në shifra dyshifrore përqindjeje.

Lexo edhe:  Kurti e vazhdon gjuhën ofenduese në fushatë, pas gërshërëve i nxjerrë gjilpërat: Ua kemi shpuar gishtat

Ekspertët ekonomikë vlerësuan se ky trend i ri i inflacionit vetëm sa e dëshmoi saktësinë e paralajmërimeve të tyre: rritja e çmimeve, por edhe thjesht pritshmëritë për shtrenjtim, kanë ushqyer një cikël të ri dhe cinik të ngritjes së kostos së produkteve bazë. Mjafton frika nga rritja, që tregu të fillojë ta çmimojë paraprakisht mbi kurrizin e qytetarëve.

Në vitin 2026, Kosova e sheh veten sërish të ngujuar në një ‘loop’ të ngjashëm absurdi. Paga minimale prej 425 eurosh, e cila ka hyrë në fuqi këtë muaj, është pasojë e një vendimi tejet kontrovers dhe në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi, i marrë nga pozita e kryeministrit në detyrë, njëherësh deputet i betuar i Kuvendit të Kosovës.

Përtej shkeljeve ligjore dhe korrupsionit të pastër publik të motivuar nga prag-zgjedhjet, komuniteti i biznesit e ka kritikuar vendimin si “të ngutshëm” dhe “të njëanshëm”, të ndërmarrë pa asnjë konsultim serioz paraprak me palët që do të paguajnë çmimin e vërtetë të vendimit.

Krejt këto zhvillime na rikthyen një vit prapa, me KESCO-n që ka aplikuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë që të miratojë edhe një shtrenjtim të ri prej më shumë se një të pestës së çmimit aktual. Plot justifikime teknike, por edhe rritja e pagës minimale në sektorin privat, e miratuar nga Qeveria në detyrë që nga janari dhe, në fazën e dytë, nga korriku në 500 euro.

Në dokumentin e dorëzuar te ZRrE-ja, KESCO shkruan ndër tjera se me vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagës minimale në 425 euro nga janari 2026 dhe në 500 euro nga korriku 2026, pritet një efekt zinxhiror në kostot operative të Furnizuesit me Shërbim Universal.

Lexo edhe:  Sulmohet nga persona të maskuara dhe me shkopa bejsbolli treneri dhe analisti i futbollit Faruk Statovci

Ky efekt, sipas tyre, do të godasë drejtpërdrejt çmimet e shërbimeve esenciale të ofruara nga kompanitë partnere dhe nën-kontraktorët nga sigurimi fizik e pastrimi, te mirëmbajtja dhe shërbimet teknike mbështetëse. Me fjalë të tjera, çdo vendim politik për rritje pagash po shndërrohet në pretekst ekonomik për rritje faturash.

Megjithatë, dallimi kyç me situatën e vitit të kaluar është se Kosova e pret këtë tjetër shtrenjtim të mundshëm të energjisë elektrike nga një pozicion edhe më i rëndë. Inflacioni, për muaj të tërë, ka qëndruar në një normë vjetore rreth 5 për qind. Se inflacioni u prodhua nga brenda, kjo na u deshmua edhe në krahasimet mes normës se rritjes së inflacionit në Kosovë dhe mesatares së Bashkimit Evropian.

Në krahasimet e bëra nga Nacionale në fund të vitit të kaluar, mesatarja e Bashkimit Evropian sillej rreth 2,4 për qind, ndërsa zona e euros qëndron në vetëm 2,0 për qind, sipas të dhënave të fundit të Eurostat për korrik 2025. Kosova, në anën tjetër, po lëvizte në një klimë çmimesh gati dyfish më të larta se BE-ja.

Ndonëse paga minimale është rritur në 425 euro nga janari i vitit 2026, pasojat e vendimit. Kur rritjet e pagave në vitet paraprake indeksohen me inflacionin, situata ndryshon rrënjësisht: mes viteve 2019–2024, fuqia blerëse e qytetarëve del e dobësuar krahasuar me periudhën para pandemisë. Pra, edhe kur pagat u rritën nominalisht madje edhe kur përqindjet dukeshin “të bukura” në grafiqe, rritja e çmimeve e gëlltiti pjesën më të madhe të asaj “përparësie”.

Për katër vite me radhë, diskursi publik për pagat, buxhetin dhe investimet është ushqyer me iluzionin e “shifrave nominale”. Statistikisht, periudha 2019–2024 tregon një rritje të pagës mesatare prej 34 për qind bruto (28 për qind neto), ndërsa në sektorin privat shifrat duken formalisht edhe më premtuese: 45 për qind bruto dhe 38 për qind neto. Në letër, duket sikur jemi bërë dukshëm më të pasur.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit gjatë vikendit

Por, sipas një krahasimi të detajuar të bërë nga ekonomisti Edison Jakurti, periudha 2019–2024 ka sjellë në fakt vetëm një rritje reale prej rreth +9 për qind në bruto dhe +4 për qind në neto. Për krahasim, periudha para pandemisë (2014–2019) ka qenë dukshëm më bujare për xhepin e qytetarëve, me rritje reale prej +13 për qind bruto dhe +12 për qind neto. Me fjalë të tjera, më shumë propagandë sot, më shumë mirëqenie dje, shkruan Nacionale.

Situata është edhe më e zymtë në sektorin publik: pas vitit 2019, rritja reale është tkurrur në vetëm +5 për qind bruto dhe +4 për qind neto një rënie dramatike krahasuar me rritjen dyshifrore (+18 për qind bruto, +17 për qind neto) të periudhës paraprake. Kjo do të thotë shërbyes civilë me më shumë përgjegjësi, por me fuqi blerëse të ngrirë.