Shtëpia ku erdhën në jetë mbi 12 mijë foshnje

Gjithçka filloi në një vjetorin e ambulantes së parë në Kosovë.

Mjaftoi një kërkesë nga Anton Çeta që Shaban Svirca të ndërtojë shtëpinë e parë të maternitetit.

Prandaj këtë vend në ‘’Kodrën e Trimave’’ në Prishtinë, ai e viziton shpesh.

E në korridorin e shtëpisë çmallet me kujtimet e vjetra.

“Shaban e kam një lutje tek ti. Thashë çfarë lutje baca Anton, se baca Anton i thoshim. Qaty, ka qenë një ftu këtu; te ai ftua me m’i ba dy dhoma për maternitet. Tha se ka nevojë kjo Kosovë, tha kemi mjek e ka nevojë kjo Kosovë. Thashë baca Anton ty po të ngon krejt Kosova, e unë nuk po të dëgjoj, po qysh jo. Edhe e kam nisë në 94-tën thuajse ka përfundu, kanë ardhë paisjet, në 96-tën u bë hapja solemne”, tha pronari i shtëpisë së maternitetit “Nëna Tereza”, Shaban Svirca.

Me krenari, Shaban Svirca tregon vizitat e para në shtëpinë që e dorëzoi për Shoqatën ‘’Nëna Terezë’’.

E nga viti 1996 deri në vitin 1999, në këtë shtëpi u kryen qindra operime.

Ndërsa gjatë kësaj periudhe, Svirca nuk u ngacmua asnjëherë nga pushteti serb i asaj kohe.

“N’qit sallë janë bo 500 operacione të ftohta, edhe 17 ushtarë janë operu. Këtu është dhoma intensive, prej sallës kanë kalu në dhomë intensive. Prej 97-tës, kurrë pushteti serb s’më ka marrë në pytje, prej ardhjes së Eliot Engell”.

Ndërsa në katin e dytë të kësaj shtëpie, djepi që përkundi mijëra fëmijë ruhet bashkë me pajisjet e veshjet e sterilizuara të mjekëve që kryen ndërhyrjet kirurgjike.

Këta fëmijë që po shihen në fotografinë prapa meje lindën në vitin 1998. E brenda këtij spitali të improvizuar në Prishtinë, brenda një dite kryheshin afër 40 lindje.

Lexo edhe:  Rama i kundërpërgjigjet kritikuesve me një video: S’po na nxajnë sheshet

Ndërsa brenda tre viteve sa ishte në funksion, në këtë shtëpi erdhën në jetë 12 489 fëmijë.

Ndërkaq në këtë dhomë të zbrazët, në katin e tretë të kësaj shtëpie, dikur trajtoheshin ushtarët pas operimit.

“Kur janë bo operacion ushtarët, kanë ardhë në këtë dhomë. Dy kreveta janë kon, një anej një knej edhe janë kon ma larg prej lehonave, mos me kon afër tyre. Këtu kanë nejt dy-tri ditë edhe prej këtu i kanë marrë i kanë çu nëpër shpia, do n’kojshi, do në Mahallë të Muhaxherëve”.

Por në marsin e vitit 1999, një thirrje e vetme bëri që kjo shtëpi të zbrazej.

“Janë kon gjashtë lehona këtu, me fëmijë këtu, edhe dy mjek e dy motra. Janë hi policia e ju kanë thanë brenda gjysë ore m’u largu prej ktuhit, edhe u duft gjithqysh me u largu. Ma zor ato mjeket kallxojshin e kanë pasë për ato lehonat ku me i strehue se për veti. Në ora 12 të ditës u desht me lëshue.”.

Megjithatë, pas kaq vitesh, familjarë të shumtë vijnë e vizitojnë këtë vend.

“Ma s’qejfti, e ma s’dëshirën, kur më thërrasin nanat kur i bijnë fëmijët e vet edhe llogarit me ju tregu ku ke lind o biri jem. M’ka lënë përshtypje një grua e Drenicës, tre fëmijë i kish lind këtu edhe ajo me tre fëmijë ka ardhë me vizitu këtë vend. Shumë shumë m’u ka bo qejfi kur i pashë ata fëmijë, edhe ata falënderues ndaj kësaj shtëpie”.

Por nga 105 ambulanta të Shoqatës ‘’Nënë Tereza’’ të cilat funksionin gjatë okupimit, kjo është e vetmja që ka mbetur.

Por sa po kujdeset shteti për këtë qendër shëndetësore?

Lexo edhe:  Shpërthim në afërsi të një pompe të benzinës në Zveçan, Policia jep detaje

“Kjo është në mbrojtje të shtetit, po shteti nuk investon kurgjo. As mirëmbajtje, as në rrymë, as në ujë as kurgjo, krejt janë mjete vetanake të miat”.

Në këtë poliklinikë punuan aktivisht tetëmbëdhjetë mjekë, infermierë si dhe vullnetarë të shoqatës ‘’Nëna Terezë’’.