Shtëpia e të dyshuarit për vrasjen në Prizren rrethohet me shirita, Policia ende s’ka rënë në gjurmë e tij

Një ngjarje e rëndë tronditi të hënën Prizrenin, ku në orët e pasdites, për motive akoma të panjohura, 48-vjeçari Beqir Morina u vra nga i dyshuari Aziz Gashi. Krimi ndodhi në lagjen “Arbana” dhe dyshohet se 50-vjeçari përdori një pushkë automatike për ta kryer vrasjen dhe më pas u zhduk nga vendi i ngjarjes. Policia e ka shpallur Gashin në kërkim, ndërsa shtëpia e tij tashmë është rrethuar me shirita.

Njësitë policore kanë kryer edhe bastisje në disa lokacione, por akoma nuk kanë rënë në gjurmët e të dyshuarit.

Sipas Policisë, deri te vrasja ka ardhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje që kishte pasur i dyshuari me viktimën.

“Dyshohet se i dyshuari mashkull kosovar pas një mosmarrëveshjeje që kishte pasur me viktimën mashkull kosovar, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij. Si pasojë e plagëve të marra, viktima ka ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, prokurori kujdestar dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa njësitet policore kanë kryer disa bastisje në lokacione të ndryshme në kërkim të vendndodhjes së dyshuarit, i cili është në kërkim policor. Lidhur me rastin janë duke u kryer hetime intensive”.

Gjithçka dyshohet se ndodhi pak para orës 19:00, kur u dëgjuan disa krisma armësh nga një veturë në lëvizje. I dyshuari Gashi, i cili është nga fshati Sferkë i Klinës dyshohet se gjuajti shtatë herë në drejtim të viktimës, të cilin e la të vdekur në vend.

Sipas një dëshmitari të rastit, i cili thotë se e ka parë momentin kritik, 50-vjeçari ka kryer aktin në prani të gruas dhe fëmijës së viktimës.

Lexo edhe:  Policia jep detaje për vdekjen e 23-vjeçarit kosovar në aksident

“Njëri doli prej Taureg-ut, në sy të gruas e të fëmijës e vrajti njeriun, e la për toke. Nuk po dihet pse, veç atë burrin e njoh, punojke në ndërtim ai, i Malishevës. Në sy të gruas, në sy të fëmijës e ka gjujtë, me kallash. Edhe atë djalin e vet, nëpër mure t’u ikë prej plumbit…”, tregoi njëri nga dëshmitarët e rastit për Sinjalin.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.