ShSKUK del me njoftim rreth vdekjes së 4-vjeçares, tregon për gjendjen e saj kur arriti në Prishtinë

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ka dalë me një reagim lidhur me rastin e vdekjes së 4 vjeçare nga Gjakova.

Sipas njoftimit thuhet se e njëjta ka kërkuar ndihmë mjekësore, rreth orës 15:00, të datës 17 shkurt 2024, në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

“Pacientja sjellët nga Spitali i Gjakovës, si rast i intubuar për në Qendrën Emergjente të QKUK-së, me parametra vital dhe me gjendje mjaftë të rënduar shëndetësore. Në Qendrën Emergjente të QKUK-së, kryhen të gjitha analizat laboratorike dhe ato diganostike – radiologjike, thirrën në konsultë edhe mjekët e lëmenjve përkatëse”, thuhet në njoftim.

ShSKUK ka shtuar se pas të gjitha konsultave, vendoset për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë, me diagnozë të punës Sepsë ( infeksion akut i rëndë i shkallës se lartë).

“Përkundër të gjitha masave reanimatore të ekipeve të mjekëve të Klinikës së Pediatrisë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, fëmija ndërron jetë me datë 19 shkurt 2024.
ShSKUK, ka kërkuar raporte të detajuara nga Spitali Përgjithshëm në Gjakovë dhe nga QKUK dhe të njëjtat do t’i shqyrtojë”, thuhet tutje në njoftim.

ShSKUK, apelon që në publik, mos të spekulohet në lidhje me shkaqet e vdekjes së pacientes, deri në rezultatet e hetuesisë, të cilat do të merren parasysh edhe nga ShSKUK për veprime të mëtejme.

Lexo edhe:  Sot është dita më e gjatë e vitit