“Shqiptar mu**, ki me marrë plumbin”: Ish-pjesëtari i FSK-së i dyshuar për plagosjen në Shtërpcë kërcënohet nga një serb
Rasti i plagosjes së dy të rinjve serbë në Shtërpcë, në fillim të këtij viti, nxiti reagime të shumta.
I dyshuari, ish-pjesëtar i FSK-së, Azem Kurtaj, ka qëndruar në paraburgim për këtë rast deri para disa javësh kur u lirua në arrest shtëpiak. Ky incident që e futi në telashe tashmë ka pasuar edhe me kanosje, raporton Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se Azem Kurtaj dhe xhaxhai i tij, janë përballur me kërcënime nga një person, i nacionalitetit serb.
Siç mëson Sinjali, ata kanë marrë mesazhet kërcënuese përmes rrjeteve sociale. Në adresë të Azem Kurtajt, i dyshuari kishte shkruar, duke iu drejtuar si “shqiptar mu**, ti ki me marrë plumbin”.
Ndërkaq xhaxhait të ish-pjesëtarit të FSK-së, i dyshuari i ka lënë një mesazh duke thënë “do ta mbrojmë Kosovën me çdo çmim sepse shqiptarët po dëshirojnë ta marrin”.
Të njëjtat burime thonë se ndër të tjera, i dyshuari ka shkruar “vdekje Kurtajt”.
Rasti është denoncuar menjehre në Polici, me ç’rast janë deponuar dëshmi lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Kanosje” dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore.
Kujtojmë se lidhur me plagosjen e dy të rinjve serbët lokalë kanë protestuar dy ditë pas incidentit.