Shpërthim i dyshuar me mjet eksploziv, dëmtohet një shitore në Shipol
Një rast i rëndë është raportuar në Mitrovicë, ku dyshohet se është përdorur një mjet shpërthyes gjatë natës.
Gazeta Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Muhaxheret” në Shipol, ku viktima B.Th., rreth 57-vjeçar ka raportuar se gjatë natës kishte dëgjuar një shpërthim pranë shtëpisë së tij, por vetëm mëngjesin e sotëm ka zbuluar pasojat.
Ai ka parë se xhamat e shitores ishin thyer, ndërsa trotuari i dëmtuar, çka ka ngritur dyshime se bëhet fjalë për përdorim të një mjeti eksploziv.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe hetuesit rajonalë, të cilët kanë kryer ekzaminimet e para. Me autorizim të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar për veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet janë në vazhdim për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.