Shoku i ish-ushtarit të UÇK-së që u arratis nga Maqedonia e Veriut: Blerim Ramadani ndodhet në Kosovë

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani është arratisur gjatë së enjtes nga “arresti shtëpiak” pas vendimit të Gjykatës kompetente për rikthim të tij në paraburgim dhe për mundësi të ekstradimit në Serbi.

Luan Jahiri, nënkryetar i OVL së UÇK-së në Ferizaj, i cili ka treguar se Blerim Ramadani për momentin ndodhet në Kosovë.

“Me Blerimin sot nuk kemi fol gjatë, unë e kam lavdëru për vendimin që e ka marrë, është e vështirë që të kthehesh në paraburgim se lërë më të ekstradohet në Serbi. Blerimi ndodhet në Kosovë. Nuk e kemi parë as ne, do ta shohim gjatë ditëve në vijim, ai duhet të dal se e ka përkrahjen e të gjithëve. Ne do t’i rekomandojmë atij që të lajmërohet pranë institucioneve tona, që të sqarohet e tëra kjo çështje”, është shprehur Jahiri në T7.

Sipas tij, kërkesat ndaj Ramadanit kanë qenë të vazhdueshme që ai të arratiset edhe nga “arresti shtëpiak”.

“Blerimi është mirë, ai ka qenë i mendimit që të qëndroj deri në fund, ta përfundoj gjyqin. Vendimi i tij për arratisje është marrë pasi është njoftuar që do të rikthehet në paraburgim e që mund të ekstradohet. Ai ka bërë një vendim të mirë, edhe unë do ta bëja atë. Shumë shokë i kanë thënë edhe sa ka qenë në arrest shtëpiak të largohet na Maqedonia e Veriut, por donim edhe ne që ta dijmë se çfarë po bëhet me këtë çështje, në mënyrë që të pasivizohet edhe kjo listë e veteranëve”, ka thënë ai.

Gjatë ditës u raportua se ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani se është arratisur nga arresti shtëpiak nga shtëpia e të afërmve të tij në Maqedoninë e Veriut.

Lexo edhe:  Mungesa e punëtorëve të kualifikuar rekord më 2022 në Gjermani, këta janë sektorët më të prekur

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar për agjencinë e lajmeve MIA se është duke marrë masa për gjetjen e vendndodhjes së Ramadanit.

Ai ishte arrestuar në bazë të fletëarrestit të lëshuar nga Serbia.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Pajazit Pajaziti nga Gjykata Penale në Shkup, e kishte zhvendosur Ramadanin nga paraburgimi në burg shtëpiak në adresën e familjarëve/shokëve të Ramadanit.

Më 9 gusht, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, kishte njoftuar se Paneli i Gjykatës Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim që ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani të mos ekstradohet në Serbi.

Sipas MPJ-së, Ramadani do të vazhdojë qëndrimin në arrest shtëpiak në Shkup deri në verdiktin final të Gjykatës Supreme të Maqedonisë së Veriut.

Ramadani u arrestua më 17 korrik 2024, në pikëkalimin kufitar Jazhincë/Glloboqicë.