Shoferi dhe konduktori i ‘Buna tours’ në Gjilan ia thyejnë krahun udhëtarit, s’ia ndalën autobusin aty ku deshi
Mbrëmë rreth orës 18:00 ka ndodhur ngatërresë ku janë përfshirë dy pronarët e një kompanie turistike në Gjilan dhe një udhëtar që po udhëtonte me autobusin e tyre. E gjithë ngjarja dyshohet se ka eskaluar në sulm fizik ndaj të riut, i cili ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në fshatin Bresalc, ku viktima kishte kërkuar që të ndalej autobusi pasi kishte arritur në destinacionin ku duhej të zbriste. Por kjo nuk ishte aprovuar nga shoferi dhe konduktori i autobusit, të cilët janë edhe pronarë të kompanisë ‘Buna Tours’.
Si rrjedhojë ka pasuar një konflikt verbal mes tyre e që më pas të njëjtit janë konfrontuar edhe fizikisht. Si pasojë e rrahjes, 20-vjeçari ka pësuar lëndime të rënda trupore, pasi që i është thyer krahu, për çka edhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital. Për tretman mjekësor shkoi në spital edhe njëri nga të dyshuarit, i cili po ashtu mori lëndime trupore.
Ndërkohë për rastin është njoftuar edhe Policia, të cilët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes ku kanë arrestuar dy të dyshuarit të cilët më pas u shoqëruan në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.