Shkuan për ta kërkuar dorën e vajzës, gjakovari i kërcënon miqtë e kushëririt – shkak feja katolike

Tradita për të kërkuar dorën e vajzës u kthye në sherr për një familje në Gjakovë. Dita kur dy familjet vendosën të lidhin miqësi u përcoll me konflikt dhe u nevojit ndërhyrja e Policisë. Personi që u fut në telashe përfundoi në pranga, si pasojë e veprimeve të tij të kundërligjshme.

Siç merr vesh Sinjali, një person po dyshohet se ua dëmtoi veturat miqve të kushërinjve të tij, që shkuan në shtëpinë e këtyre të fundit.

Rasti që eskaloi ndodhi te Podrimajt në Gjakovë dhe motivi dyshohet se lidhet me fenë.

Bazuar në informacionet e para, në shenjë revolte pasi miqtë e kushëririt i takojnë fesë katolike, i dyshuari edhe i ka kërcënuar ata.

Pasi Policia është vënë në dijeni për rastin, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

Kujtojmë se raste të tilla janë të rralla, pasi në vazhdimësi është vlerësuar se niveli i tolerancës ndërfetare në Kosovë është i lartë.

Lexo edhe:  Këta janë tre të dyshuarit për përleshjen e armatosur në Prizren, ndodhen ende në arrati