Shkon në 700 numri i viktimave në Izrael

Deri tani civilët kanë paguar çmimin më të lartë të luftës mes forcave izraelite dhe militantëve të Hamasit.Të paktën 700 izraelitë janë vrarë nga sulmet e Hamasit sipas mediumit lokal N12 News.

Nëse këto raportime konfirmohen nga autoritetet e vendit, do të thotë se konflikti që ka nisur në mëngjesin e së shtunës ka marrë më shumë se 1000 jetë nga të dyja palët, shkruan Skynews.

Më herët sot, ministria e Shëndetësisë e Gazës ka thënë se të paktën 370 palestinezë janë konfirmuar të vdekur, ndërsa sipas versionit zyrtar izraelit, ushtria kishte vrarë 400 militantë dhe kishte kapur dhjetëra të tjerë.

Po ashtu, gjatë ditës së sotme, kabineti i sigurisë i Izraelit deklaroi zyrtarisht gjendje lufte.

Luftimet po vazhdojnë më shumë se 24 orë pas një sulmi të pashembullt nga palestinezët, në të cilin militantët e Hamasit, të mbështetur nga mijëra raketa, depërtuan përmes barrierës së sigurisë së Izraelit. Ata morën robër të cilët i dërguan në Gaza, duke përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, të cilët do të përpiqen t’i shkëmbejnë me mijëra të burgosur palestinezë që mbahen në Izrael.

Numri i lartë i vdekjeve, të burgosurit e shumtë dhe një reagim i ngadaltë ndaj sulmit treguan për një dështim të madh të inteligjencës dhe lëkundën përshtypjen e mbajtur prej kohësh se Izraeli ka sy dhe veshë kudo në Gaza, territorin e vogël dhe me popullsi të dendur që e ka kontrolluar për dekada.

Lexo edhe:  Valon Syla thur këngë për Mimoza Kusari-Lilën: Of aman aman, vaj medet po del shpirti me siklet