Shkoi në të pame për Faton Hajrizin, IPK rekomandon suspendimin e Komandantit të Stacionit Policor të Skenderajt

IPK ka rekomanduar suspendimin e një togeri policor respektivisht Komandantit të Stacionit Policor të Skenderajt.

Ai së bashku me vartësit e tij kanë kryer shkelje të rëndë disiplinore – “Sjellje e rëndë diskredituese”.

Të njëjtit kanë shkuar për ngushëllime te familja e një personi i cili para disa jave kishte ikur nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë.

Njoftimi i plotë i IPK-së:

Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një togeri policor respektivisht Komandantit të Stacionit Policor të Skenderajt. Inspektorati Policor ka filluar hetim disiplinor nën dyshimin se i njëjti së bashku me vartësit e tij kanë kryer shkelje të rëndë disiplinore – “Sjellje e rëndë diskredituese”.

IPK ka pranuar informatat e para për këtë rast nga Policia e Kosovës dhe dyshohet se togeri policor së bashku me disa zyrtarë të tjerë policorë kanë shkuar për ngushëllime te familja e një personi i cili para disa jave kishte ikur nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë, ku ishte duke vuajtur dënimin me burgim për disa vepra penale, (dhe së fundi i njëjti është vrarë në territorin e Republikës së Serbisë nga policia atje).

Me këto veprime dyshohet se togeri policor dhe vartësit e tij kanë kryer shkelje të rëndë disiplinore -“Sjellje e rëndë diskredituese” e paraparë me aktet nënligjore të Policisë së Kosovës.

Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së bazuar në fushëveprimin dhe autorizimet ligjore të Inspektoratit Policor.

Lexo edhe:  Policia e Kosovës kryen kontrolle në “Postën e Serbisë” në Gorazhdec të Pejës