Sherr për uzurpimin e banesës, prishtinasi kërkon ndihmën e Policisë – zbulohet kush është personi i arrestuar

Mospërfillja e urdhrave dhe vendimeve të ndryshme të gjykatave, sidomos në çështjet pronësore, janë raste goxha të shpeshta, që edhe eskalojnë në konflikte mes palëve të përfshira.

Një rast i tillë ndodhi të enjten, në rrugën “Selatin Pulaha” në Prishtinë, ku Policia arrestoi një person.

Sinjali mëson se personi i dyshuar shpërfilli vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke e uzurpuar banesën e viktimës – i cili u detyrua ta denoncojë në Polici.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që përfundoi në pranga të Policisë lidhur me këtë rast është Sejdi Selimi.

Selimi po dyshohet se nuk e ka respektuar vendimin që e kishte marrë gjykata, duke hedhur poshtë pretendimet e tij.

Pasi i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë, ku edhe atij ka shprehur refuzimin për zbatimin e vendimit të nxjerrë nga gjykata.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.

Ndryshe, Kodi Penal i Republikës së Kosovës, parasheh dënim me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj për këdo “që nuk i bindet ndonjë urdhri, vendimi apo aktgjykimi të plotfuqishëm të ndonjë
gjykate në Republikën e Kosovës ose refuzon apo pengon publikimin e vendimit apo aktgjykimit të plotfuqishëm të gjykatës së tillë”.

Lexo edhe:  Lajmërohet sërish Faton Hajrizi, Sveçlës ia shan mbiemrin dhe i vë bast: Kurrë s’mun me m’kap ti mu