Shefja e policisë federale: Kërcënimet për Zvicrën vijnë edhe nga bandat e Shqipërisë dhe të Kosovës
Grupet kriminale nga Ballkani po paraqesin një kërcënim serioz për sigurinë në Zvicër. Në një intervistë për gazetën prestigjioze zvicerane “NZZ am Sonntag”, drejtorja e re e Policisë Federale të Zvicrës, Eva Wildi-Cortés, paralajmëroi për rritjen e rrezikut nga krimi i organizuar dhe përfshirjen e grupeve kriminale nga Shqipëria dhe Kosova në veprimtari të paligjshme në territorin zviceran.
Sipas saj, kërcënimi është rritur ndjeshëm kohëve të fundit, aq sa edhe shërbimi sekret zviceran ka ngritur nivelin e rrezikut nga shkalla e tretë në të pestën nga gjithsej gjashtë nivele.
“Tregtia me njerëz, armë dhe lëndë narkotike përbën një rrezik për demokracinë tonë, shtetin ligjor dhe sigurinë e popullatës. Nëse nuk duam të përjetojmë të shtëna dhe përleshje në rrugë si në Holandë, Belgjikë apo Suedi, Zvicra duhet të veprojë tani”, deklaroi Wildi-Cortés.
Ajo theksoi se Zvicra është bërë mjaft tërheqëse për grupet kriminale ndërkombëtare, që shfrytëzojnë sistemin e saj të hapur për të zhvilluar veprimtari ilegale.
Mes organizatave më aktive, ajo përmendi mafian italiane ’Ndrangheta, e cila përdor Zvicrën për pastrim parash; organizatat shqiptare, të cilat janë të përfshira si në prodhimin, ashtu edhe në shpërndarjen e drogës; mafian marokene që shpërthen bankomatë në Holandë dhe organizatën nigeriane Black Axe, që përfiton miliarda nga mashtrimi dhe shfrytëzimi i grave të reja.
Drejtoresha e Policisë Federale ka zbuluar edhe mënyrën e bashkëpunimit mes këtyre organizatave: “Për shembull: sjelljen e kokainës në Europë e rregullon mafia shqiptare, importi financohet nga mafia italiane, kur malli mbërrin në portin e Rotterdamit, kyçet në biznes mafia marokene, e cila kujdeset për transport dhe shpërndarje, mandej grupet lokale e shesin drogën në Bern e Zürich.”
Një nga rastet më të bujshme të zbuluara vitin e kaluar, sipas saj, ishte një agjenci udhëtimesh në qendër të qytetit të Luzernit, e cila dyshohej se ishte bazë e një rrjeti kriminal të drejtuar nga mafia kosovare.
Autoritetet zvicerane e vëzhguan këtë agjenci për më shumë se një vit dhe zbuluan se aty ishin regjistruar 750 vizita nga persona të dyshuar për tregti me drogë dhe korrierë të parave.
Sipas Wildi-Cortés, shumë biznese që në pamje të parë duken të zakonshme – si sallonet e berberëve, korrierët e picave apo agjencitë e udhëtimit – janë në fakt mbulesa për shpëlarje parash në Zvicër.
“Këtu duhet të fillojë beteja kundër krimit të organizuar”, theksoi ajo.
Eva Wildi-Cortés, ekonomiste dhe politologe 49-vjeçare, e ka marrë drejtimin e Policisë Federale të Zvicrës më 1 shkurt 2025.
Ajo ka një përvojë mbi 20-vjeçare në fushën e sigurisë dhe konsiderohet një nga figurat më të përgatitura në luftën kundër krimit të organizuar.