SHBA: Nuk e kemi verifikuar akoma që Serbia e ka tërhequr ushtrinë nga kufiri i Kosovës

Në një deklaratë të fundit për media, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Matthew Miller, ka theksuar se SHBA-ja nuk kanë verifikuar tërheqjen e personelit dhe pajisjeve ushtarake të Serbisë afër kufirit me Kosovën.

“Ne kemi parë raportet se Serbia ka tërhequr pajisjet e personelit ushtarak larg kufirit. Ne ende nuk i kemi verifikuar ato në mënyrë të pavarur dhe do të kërkojmë konfirmim të mëtejshëm, por nëse është e vërtetë, ky do të ishte një hap i mirëpritur”. – deklaroi ai gjatë konferencës ditore për shtyp e Departamentit të Shtetit.

Ndërkohë, ai theksoi se Uashingtoni është i shqetësuar për rritjen e tensioneve në veri të Kosovës dhe bëri thirrje që palët që t’i kthehen në dialogut të lehtësuar nga BE.

“Ne vazhdojmë të jemi të shqetësuar për ciklin e rritjes së tensioneve dhe dhunës sporadike në veri të Kosovës dhe inkurajojmë të dyja palët t’i kthehen në dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”. – deklaroi ai.

Kujtojmë se vetëm pak më parë, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë në CNN se paralajmërimet e ShBA-së për grumbullimin e pjesëtarëve të ushtrisë serbe pranë Kosovës “nuk ishin plotësisht të sakta”.

Ndonëse Shtëpia e Bardhë tha se kishin vëzhguar vendosje të madhe të “artilerisë serbe, tankeve dhe njësive të mekanizuara të këmbësorisë” pranë kufirit me Kosovën, Vuçiq e quajti këtë një “gënjeshtër të pastër”, pasi sipas tij, “kjo do të rrezikonte pozicionin e saj në bisedime”.

“Dërgimi i trupave nga Serbia në vijën administrative është një gënjeshtër e pastër. . . Serbia nuk do të përfitonte prej saj pasi kjo do të rrezikonte pozicionin e saj në bisedimet e sponsorizuara nga BE-ja me Kosovën.” – deklaroi Vuçiq ditë më parë për Financial Times.

Lexo edhe:  Të shtëna me armë zjarri në Podujevë, dyshohet për një të vrarë

Vuçiq gjithashtu pretendoi se numri i forcave serbe pranë kufirit me Kosovën ishte në rënie. “Vitin e kaluar kemi pasur 14,000 burra pranë vijës administrative, sot kemi 7,500 dhe do ta reduktojmë në 4,000.” – pohoi ai.

Shqetësimin për shtimin e trupave ushtarake pranë kufirit me Kosovën e ka shprehur të premten zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.