SHBA nën goditjen e tornadove, mbi 16 të vdekur dhe dëme masive
Stuhitë e fuqishme me tornado kanë goditur rëndë dy shtete amerikane, Kentucky dhe Missouri, duke shkaktuar të paktën 16 viktima dhe dëme të mëdha materiale. Shifrat tragjike janë konfirmuar nga autoritetet lokale, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë operacionet në terren, shkruan Gazeta Sinjali.
Në Kentucky, tornadoja goditi rëndë Qarkun Laurel, në juglindje të shtetit, gjatë orëve të para të së shtunës, duke shkaktuar nëntë viktima. Zyrtarët lokalë paralajmëruan se numri i të vdekurve mund të rritet, pasi shumë persona mbeten ende të zhdukur dhe operacionet e shpëtimit janë në vijim.
Ndërkohë, shteti i Missouri është përballur me pasoja të rënda, ku janë raportuar shtatë viktima, pesë prej të cilëve në qytetin e St. Louis. Tornadoja që përfshiu këtë zonë shkatërroi mbi 5,000 ndërtesa, rrëzoi çati dhe dëmtimet në infrastrukturë lanë më shumë se 100,000 shtëpi pa furnizim me energji elektrike.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, tornadoja goditi St. Louis rreth orës 14:30 të premten, pranë Parkut Forest, afër Kopshtit Zoologjik dhe vendit historik ku u mbajtën Lojërat Olimpike të vitit 1904. Një ndër godinat e shkatërruara ishte edhe pjesa e Kishës së Krishterë Centennial, ku disa persona u shpëtuan, por fatkeqësisht një prej tyre nuk arriti të mbijetonte.
Në përgjigje të situatës emergjente, autoritetet kanë shpallur shtetrrethim në dy nga zonat më të prekura, i cili do të mbetet në fuqi deri në orën 06:00 të mëngjesit.
Kryetarja e bashkisë së St. Louis, Cara Spencer, reagoi me dhimbje ndaj situatës: “Do të kemi shumë punë për të bërë në ditët në vijim, por sonte jemi të përqendruar në shpëtimin e jetëve dhe mbajtjen e sigurisë.”
Stuhitë kanë prekur edhe pjesë të Illinoisit, duke përhapur kushte ekstreme moti që janë ndjerë deri në bregdetin e Atlantikut. Ndërsa komunitetet në këto shtete po përballen me pasojat e katastrofës natyrore, SHBA përjeton edhe një herë një moment të rëndë, me jetë të humbura dhe dëme të pallogaritshme.