S’është hera e parë, ish-komandantët: FSK disa herë ndër vite ka qenë me aksione humanitare në veri

Një aksion humanitar i sotëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit në kërkim të 33-vjeçarit që dyshohet se është mbytur, nxiti një valë reagimesh, kryesisht nga pushteti.

Zyrtarë të ndryshëm të Vetëvendosjes me postime nëpër rrjete sociale, e harruan aspektin humanitar dhe rastin e mërgimtarit, duke u krenuar se Forca e Sigurisë së Kosovës ka shkuar në veri të vendit.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që FSK-ja merr pjesë në aksione të tilla humanitare në veri të vendit. Dy nga ish-komandantët e FSK-së, Kadri Kastrati dhe Rrahman Rama, kanë konfirmuar se Forca e Sigurisë së Kosovës, disa herë ka qenë në pjesën veriore.

Rrahman Rama kishte qenë komandant i FSK-së prej marsit 2015 deri në vitin 2021. Ai kujton disa raste kur Forca e Sigurisë së Kosovës kishte shkuar në pjesën veriore.

“Është e vërtetë, mundet me kanë 2016, njëherë në Ujman, njëherë në lumin Ibër, edhe një herë kemi shkuar me deminim me KFOR-in amerikan”, ka thënë Rama.

Më 15 korrik 2024, FSK ishte angazhuar në Liqenin e Ujmanit me Njësinë e Kërkim Shpëtimit me dy kamion, dy barka. Incidenti për gjetjen e katër të rinjve serbë, ku dy barka motorike ishin ndeshur mes vete.

Në vitin 2016, FSK-ja mori pjesë në gjetje të një serbi në Lumin Ibër.

Kurse, në vitin 2019, FSK-ja kishte marrë pjesë në një intervenim deminimi në veri bashkë me KFOR-in.

Ish-komandanti tjetër i FSK-së, Kadri Kastrati, deklaroi se në kohën kur ai kishte qenë komandant, dy herë FSK-ja kishte shkuar në pjesën veriore.

“Unë sa kam qenë komandant dy herë FSK-ja ka zbarkuar në veri të Kosovës për çështje humanitare. Marrëveshja mes KFOR-it dhe qeverisë së atëhershme nuk e ndalon FSK-në me shku në veri, por jep mundësi që nëse shkon, të shkojë në koordinim dhe bashkërendim me KFOR-in”, ka thënë Kastrati për gazetën Nacionale.

Lexo edhe:  Shëngjini pa roje bregdetare, pushuesja nga Kosova rrezikon jetën

Kastrati më tutje ka kujtuar se në njërin rast, po në Ujman, i kishin gjetur dy serbë që kishin rënë me veturë.

“Dy herë kemi qenë, njëherë aksion humanitar me i kërku dy serbë që kanë ra në Ujman me veturë, dhe i kanë gjetur. Dhe kjo që po bëhet bujë, vetëm për poena politikë se zgjedhjet i kemi sivjet, ky është operacion i rëndomtë i FSK-së”, tha më tutje ai.

Me një postim në rrjete sociale, Vetëvendosje u krenua duke shkruar se kjo është hera e parë që FSK-ja si ushtri, shkon në veri. Ata kanë shpërndarë postimin e ministrit në detyrë, Ejup Maqedonci.

Kuvendi i Kosovës në vitin 2018 kishte miratuar ndryshimet në tri ligje, të cilat mundësonin transformimin e FSK-së në Ushtri.

Lëvizja Vetëvendosje ishte ankuar se një letër-zotim i ish-kryeministrit, Hashim Thaçi, nuk e lejon dërgimin e FSK-së në veri në asnjë rrethanë. Madje, Albin Kurti, këtë letër e kishte dërguar në Prokurori.

Marrëveshja mes Hashim Thaçit dhe ish-sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, theksonte se duhet koordinim dhe bashkërendim që Forca e Sigurisë së Kosovës të shkojë në veri.

Ministri në detyrë, Ejup Maqedonci, ka thënë se kjo është bërë në bashkërendim me KFOR-in, raporton Nacionale, transmeton Klankosova.tv