Serbisë i shkon një paralajmërim i ri nga NATO

Raporti i fundit i NATO-s për Ballkanin Perëndimor sjell paralajmërime të reja shqetësuese për Serbinë. Nëse lufta në Ukrainë vazhdon, dhe Serbia është këmbëngulse për të mos iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, kërkesa e Serbisë për t’u anëtarësuar në BE është në rrezik dhe ky vend kërcënohet me mundësinë e izolimit të plotë, sipas NATO-s.

Raporti i fundit i NATO-s analizon mënyrën në të cilën Ballkani Perëndimor u përball me sfidat e shkaktuara nga lufta në Ukrainë.

Në pjesën hyrëse u bë e qartë se nuk do të jetë më i mundur shmangia e rreshtimit përfundimtar me Perëndimin apo Rusinë.

“Lufta e egër dhe e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës tani përfaqëson një moment sqarimi për Ballkanin Perëndimor. Deri më tani, Rusia ka ofruar një rrugë të ndryshme për disa lojtarë në rajon, por kjo rrugë tani duket si një rrugë pa krye. Ajo rrugë ofron një vizion të së ardhmes që është nihilist, autoritar, i falimentuar dhe i dhunshëm. Se si reagon rajoni do të zbulojë shumë se ku po shkon”, thuhet në raportin e NATO-s.

Kur bëhet fjalë për Serbinë, përfundimi është si më poshtë:

“Pozicioni i Serbisë po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm ndërsa krimet e Putinit bëhen më të mëdha dhe më të tmerrshme. Kështu, ekziston rreziku që qeveria serbe të jetë gjithnjë e më e izoluar në Evropë. Kandidimi i Serbisë tashmë është problematik dhe tani është në rrezik edhe më të madh”, thuhet në raport dhe sqarohet në detaje ky konkluzion.

A është me të vërtetë gazi problem?

Në këtë raport Serbia përmendet si një vend i varur në masë të madhe nga gazi rus, por theksohet se këtë problem pak a shumë e ka i gjithë rajoni.

Lexo edhe:  Von Cramon arrogante me policët në Zveçan: Çka dreqin ju solli këtu, ku është kërcënimi?

Qendra e spiunazhit në Nish

Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe një herë Qendrës Humanitare Ruse në Nish.

“Qendra e tyre humanitare në Nish shërben si qendër e aktivitetit të spiunazhit, duke u dhënë rusëve akses në infrastrukturën lokale dhe kombëtare të mbrojtjes civile, dhe ka një sërë lidhjesh informale, për shembull, midis kishave kombëtare, bamirësive dhe organizatave të tjera të dy vendeve. ”, thuhet në raportin e NATO-s.

Po ashtu theksohet se Rusia e Vladimir Putinit ka kohë që po përpiqet ta shfrytëzojë paqëndrueshmërinë e rajonit për të forcuar avantazhin e saj gjeostrategjik, në radhë të parë duke luajtur me faktin se NATO bombardoi Serbinë.

“Kremlini i kultivoi dhe i shfrytëzoi këto ankesa dhe paraqitet si i vetmi mbrojtës i vërtetë dhe legjitim i interesave serbe. Problemi është se ankesat janë shpesh nacionaliste dhe kanë çuar në dhunë dhe luftë në rajon në të kaluarën. Kur Putini përdor këto ndjenja, ai është plotësisht i vetëdijshëm për potencialin e tyre shpërthyes. Prandaj, ekziston një shqetësim i justifikuar se lufta ruse mund të inkurajojë përpjekje të reja nga forcat politike nacionaliste dhe vetë Rusia për të polarizuar politikën rajonale dhe madje të përpiqet të rivizatojë kufijtë, gjë që ndoshta do të çonte në dhunë dhe konflikt ushtarak në këtë rajon të brishtë.

Nën vëzhgim janë edhe veprimet e qytetarëve

Veçanërisht theksohet se Beogradi është i vetmi kryeqytet evropian që mbajti një tubim në mbështetje të Rusisë dhe po ashtu theksohet se në mesin e qytetarëve ka mbështetje të madhe për presidentin rus Vladimir Putin.

“Një sondazh i fundit tregoi se 60 për qind e serbëve fajësojnë SHBA-në për luftën, dhe 51 për qind fajësojnë NATO-n, krahasuar me vetëm 26 për qind që fajësuan Rusinë dhe 24 për qind që menduan se Ukraina apo BE-ja ishin fajtore për pushtimin”, thuhet në raportin e NATO-s.

Lexo edhe:  Prishet moti, sot pritet shi e breshër

Për të gjitha sa më sipër, konstatohet se ka shenja se kjo krizë do të komplikojë seriozisht procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, veçanërisht nëse Serbia vazhdon të shkelë konsensusin evropian për sanksionet ndaj Rusisë dhe nëse publiku i saj e sheh BE në një dritë kaq negative.