Serbia e kërkon pështymën e nënës së Hajrizit, s’e lejon ta sheh trupin
Gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku, po qëndron në Beograd, nga ku tha se ajo që i është konfirmuar avokatit të familjes së Faton Hajrizit, Arianit Koci, është se Serbia do ta dorëzojë trupin e personit të vrarë e që dyshohet se është i Faton Hajrizit.
Mujku tha se kjo është e sigurt nga të gjitha instancat me të cilat ka biseduar edhe dje edhe sot avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci.
“Ajo që dihet përveç faktit se Serbia do ta dorëzojë trupin e Hajrizit i cili ndodhet në morgun e Spitalit të Lloznicës, nuk është e sigurt akoma se si do ta pranojë familja. Të njëjtit nuk do të kenë mundësi ta konfirmojnë nëse është Faton Hajrizi, pasi kufoma do t’iu dorëzohet e mbyllur hermetikisht dhe do të mund të hapet vetëm kur trupi të kalojë në Republikën e Kosovës”.
“Deri tani kemi pasur informacione që kanë ardhur nga Zyra për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor që më 22 korrik, gjurmët e gishtërinjve të Faton Hajrizit, që i kanë marrë autoritetet në Beograd, përputhen me ato që i kanë marrë nga autoritetet e Kosovës”, tha Mujku, njofton Klankosova.tv.
Më tej, Mujku tha se avokatit Koci i është kërkuar që nëna e Faton Hajrizit ta sjellë pështymen e saj për ta verifikuar nëse personi i vrarë është Faton Hajrizi, por që sipas saj, nënës së Hajrizit nuk do t’i lejohet që ta shoh dhe ta konfirmojë nëse është trupi i djalit të saj.
“Serbia sot gjatë ditës i ka kërkuar avokatit Koci që ta sjellë edhe pështymën e nënës së Faton Hajrizit. E njëjta duhet që të vijë në stacionin më të afërt policor në Serbi, e që i bie të jetë ai në Vranjë dhe për ta verifikuar nëse është Faton Hajrizi. Mirëpo, as nënës nuk do t’i lejohet që ta shoh dhe ta konfirmojë nëse është trupi i djalit të saj”, tha ajo, njofton Klankosova.tv.
Gazetarja Rina Mujku tha se për pamjet të cilat i ka marrë bashkë me kameramanin e Klan Kosovës, Agon Bejtullahun, i është thënë nga drejtori i policisë në rajonin e Llozniës se nuk guxojnë ta publikojnë asnjë sekondë nga xhirimet, në të kundërtën “do ta keni punën keq”.
“Ekipi ynë që ka qëndruar sot në Lloznicë, vetëm pasi kemi arritur që të marrim pamje të ndryshme edhe në vendin ku është raportohet se është vrarë Faton Hajrizi, edhe te morgu e edhe te stacioni i policisë, drejtori i policisë për rajonin e Lloznicës na ka thënë se nuk guxojmë të publikojmë asnjë sekondë nga xhirimet që kemi marrë në Lloznicë, në të kundërtën “do ta kemi punën keq”, për arsye se sipas tij, hetimet nuk kanë përfunduar akoma”, tha Mujku.