Serbët protestojnë sot në veri, Elshani jep detaje
Serbët e Kosovës do të mbajnë sot protestë në veri, në sheshin “Car Lazar”, nga ora 11:00 deri në orën 12:00.
Lajmin për Reporteri.net e ka konfirmuar zv.Drejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.
Elshani tha se protesta është thirrurr, për siç kanë thënë, “gjendjen e keqe të serbëve”.
Sipas tij, protesta pritet të jetë e qetë, derisa bëri me dije se policia do të jetë aty që ta mbajë rendin dhe qetësinë publike.
“Grupi i qytetarëve e ka lajmëru protestën nga ora 11:00-12:00, që planifikohet të mbahet në sheshin Car Lazar. Arsyeja e kësaj proteste është “gjendja e keqe e serbëve në të cilën gjinden”. Protesta parashihet të jetë e qetë, ndërsa policia do të jetë aty në numër të mjaftueshëm që të mbaj rendin dhe qetësinë publike”, ka deklaruar Elshani.
Ndryshe, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të martën e ka përmendur këtë protestë duke thënë se serbët do të reagojnë për kërkesën që Ura e Ibrit të hapet.
Ndërkombëtarët kanë bërë të qartë se nuk përkrahin hapjen e urës.
Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka deklaruar sot se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Sipas deklaratës, KFOR-i nuk do të hezitojë që të trajtojë secilin zhvillim që mund të ketë ndikim në siguri dhe stabilitetin rajonal, në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara.
Reagimi i KFOR-it vjen pas kryerjes së një vizite të zyrtarëve të Kosovës në atë pjesë, të cilët insistojnë që ura mbi Ibër do të hapet.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë përgjatë vizitës në Mitrovicë të Veriut se “nuk ka arsye që ura të mos hapet’.
“Tash, kur do të hapet është çështje e vlerësimit të ekspertëve”, ka thënë ai.