Sekuestrohen dy vetura në magjistralen Mitrovicë-Vushtrri për shmangie të pagesës së doganës

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës gjatë një plani operativ kanë sekuestruar dy automjete, nën dyshimin për shmangie të pagesave të detyrueshme doganore.

Në njoftimin e Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur në magjistralen Mitrovicë-Vushtrri të martën dhe se veturat ishin me targa të huaja, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, respektivisht ekipi i përbashkët i Task-Forcës i përbërë nga zyrtarë të Policisë Kufitare nga DRK-Veriu dhe zyrtarë të Doganës së Kosovës, gjatë realizimit të aktiviteteve në kuadër të një plani operativ me datë 12.03.2024 në magjistralen Mitrovicë-Vushtrri gjatë një kontrolli të automjeteve, kanë ndaluar dy automjete me targa të huaja me drejtues 2 meshkuj kosovarë, të cilat i janë shmangur pagesave të detyrueshme doganore”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se lidhur me rastet automjetetet janë sekuestruar dhe janë dorëzuar në terminalin Doganor në Mitrovicë për procedura të mëtejme sipas kompetencës.

Lexo edhe:  E rëndë: 9 persona të lënduar nga aksidenti i frikshëm në Mitrovicë