Sarandë: Arrestohet 29-vjeçari, dyshohet për vjedhjen e parave nga automjetet e turistëve

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë kanë finalizuar operacionin e koduar “The last bag”, duke zbardhur dhe dokumentuar dy raste vjedhjeje në qytetin bregdetar.

Në kuadër të këtij operacioni, policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin K. S., 29 vjeç, banues në Berat, pasi ishte kapur më 19 qershor 2025, në lagjen nr. 1 të Sarandës, ndërsa vidhte para nga një automjet i parkuar.

Siç njofton Policia e Shtetit, nga hetimet e zhvilluara, ka rezultuar se 29-vjeçari, vetëm një ditë më parë, më 18 qershor, kishte kryer një vjedhje tjetër, ku ka marrë një shumë prej 114 000 lekësh nga një automjet tjetër në të njëjtën lagje.

Ky shtetas kishte si objektiv kryesor çantat e lëna në automjetet e turistëve, ku merrte vetëm para dhe sendet me vlerë.

Përmes hetimeve të mëtejshme, dyshohet se i arrestuari mund të jetë autor i disa vjedhjeve të tjera në qytetin e Sarandës. Policia ka vijuar punën për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.

Lexo edhe:  Nasim Haradinaj-Nexhmedin Spahiut: A po shko mbroje ish-policin tash në Serbi, ta shohim turrin