Sala Jashari falënderon përzemërsisht e me përulësi votuesit që i dhanë besimin për deputete: Nuk do të heq dorë kurrë nga ju

E reja nga Prekazi, Sala Jashari, do të jetë deputete për herë të parë në Kuvendin e Kosovë.

Ajo garoi për herë të parë dhe u zgjodh madje duke hyrë në mesin e pesë kandidatëve më të votuar në listën e PDK-së.

25 vjecarja ka falënderuar përzemërsisht e me përulësi të gjithë ata që i besuan t’i përfaqësojë në legjislaturën e radhës në Kuvend.

“Këtë fitore – si një nga kandidatet më të reja dhe më të votuara nga lista e Partisë Demokratike të Kosovës – jua dedikoj juve.

Sepse, në fund të fundit, unë jam thjesht një e zgjedhur prej jush”, ka shkruar ajo ndër tjerash.

Postimi:

Për të gjithë ju që më besuat votën tuaj,

Dua t’ju shpreh mirënjohjen time të thellë, që në kandidimin tim të parë për të qenë pjesë e Parlamentit të Kosovës më keni besuar, duke u bërë mbështetja, motivimi dhe frymëzimi im.

Këtë fitore – si një nga kandidatet më të reja dhe më të votuara nga lista e Partisë Demokratike të Kosovës – jua dedikoj juve.

Sepse, në fund të fundit, unë jam thjesht një e zgjedhur prej jush.

Me gatishmërinë më të madhe, jam gati të shërbej për të qenë gjithmonë zëri juaj.

Dhe mos harroni premtimin tim që ua kam dhënë gjatë fushatës:
“Nëse ju nuk hiqni dorë, unë nuk do të heq dorë kurrë nga ju.”

Zëri juaj është forca ime!
Besimi juaj, është përgjegjësi për mua!

Lexo edhe:  Kurti: Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi, kam besim të plotë në ministren Hajdari