Rrjet kriminal në Gjilan – tre të arrestuar për mashtrim ndërkombëtar, shpëlarje parash e vjedhje identiteti

Një aksion i gjerë policor është zhvilluar më 6 maj 2025 në qytetin e Gjilanit, ku pas një hetimi të thelluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, janë arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në një skemë të sofistikuar mashtrimi dhe krimesh ekonomiko-kibernetike.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se të arrestuarit janë:  Valmir Osmani, 33 vjeçar, Rilind Vllasaliu, 28 vjeçar, Nuhi Osmani, 60 vjeçar.

Sipas hetimeve, të dyshuarit, duke vepruar si grup i organizuar, kanë përdorur identitete të rrejshme, kredenciale të vjedhura dhe platforma fiktive investimi, për t’i mashtruar qytetarë – kryesisht shtetas të huaj – që të investonin në bursa të rreme dhe kriptovaluta. Veprimtaria e tyre kriminale është zhvilluar në një ambient të përshtatur si qendër e thirrjeve, që funksiononte në mënyrë të kundërligjshme.

Policia ka bastisur tre lokacione të ndryshme, ku ka sekuestruar si prova materiale: 3 vetura, kompjuterë, telefona mobil, para të gatshme, municion (9mm), dokumentacion të dyshimtë.

Të dyshuarit po hetohen për veprat penale: shpëlarja e parave, hyrja e paautorizuar në sisteme kompjuterike, mashtrimi, vjedhja e identitetit dhe kredencialeve

Me urdhër të Prokurorit të çështjes, të tre personat janë ndaluar për 48 orë. Hetimet janë në zhvillim e sipër dhe priten arrestime të tjera.

Lexo edhe:  Aksident mes dy veturave në rrugën Gurakoc – Zallq, policia në vendin e ngjarjes