Rritet numri i të miturve që shpërndajn drogë në Shqipëri

Rreth 2000 persona u identifikuan nga policia e Tiranës si të implikuar në veprat penale që lidhen me drogën vetëm gjatë vitit që lamë pas.

Një fenomen në rritje është implikimi i të miturve në shpërndarjen e drogës. Gjatë 2023 u identifikuan 94 të mitur nga të cilët vetëm 4 u arrestuan ndërsa të tjerët u proceduan në gjendje të lirë.

Pamje si këto nuk janë aspak të rralla në shumë lagje në vend kur të mitur ende me çanta në shpinë mblidhen në qoshe dhe konsumojnë drogë. Të joshur nga konsumimi ata futen në rrjete kriminale që I përdorin për interest e tyre jo vetëm për shpërndarje droge por edhe për vepra të tjera penale.

“Ligji parashikon dënime të ulta ose nuk dënohen fare për shkak të moshës. Gjenden të rinj me probleme sociale dhe ekonomike me prindër të ndarë për shembull. Ky është një ushqim i mirë për grupet kriminale të cilët i marrin i trajnojnë dhe i nxisin për shpërndarjen e drogës“, shprehet avokati Kujtim Cakrani.

Për të mbajtur larg fëmijët nga droga këtë vit nisi të aplikohet paketa e sigurisë në shkolla dhe u propozuan ashpërsime të kodit penal për vepra penale që ndodhin në perimetrin afër shkollës.

“Duhen hapur shkollat e riedukimit dhe rehabilitimit nuk është kollaj të futesh një 14-vjeçar në burg është e rëndësishme që të veprohet si në BE që ka struktura të posaçme për rehabilitimin e te miturve pasi tani kur dënohen janë në një ambient me persona me background kriminal“, thotë Cakrani.

Në shtator, policia ndërmori një aksion kombëtar me rreth 300 të arrestuar në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Top Channel mëson se së shpejti ky operacion do të ketë fazën e dytë ku pritet të goditen grupe të tjera shpërndarësish./Top Channel

Lexo edhe:  Hajnat bëjnë kërdi në banesën e familjes Bajrami në Prishtinë, vjedhin stoli ari në vlerë të rreth 25 mijë eurove