Rrihen mes vete katër persona në ‘Routte 66’ në Prishtinë, të dyshuarit shkaktojnë dëme edhe në lokal

Përleshjet fizike në të cilat përfshihen të rinjtë janë të shpeshta në vendin tonë. Vazhdimisht raportohen raste në Polici, por edhe nga qytetarët për rrahje mes qytetarëve, të cilat në shumë raste kanë përfunduar tragjikisht. Kjo është shndërruar në një dukuri shqetësuese duke u rrezikuar kështu siguria publike.

Në një rrahje janë përfshirë edhe mbrëmë katër persona që kishin shkuar të hajnë bukë në lokalin e njohur ‘Routte 66’ në kryeqytet.

Sinjali mëson se rreth orës 03:00 të mëngjesit katër klientët që ndodheshin brenda lokalit, pas një mosmarrëveshjeje mes vete janë përfshirë në një përleshje fizike, ku si pasojë është lënduar njëri nga ta. 39-vjeçari për shkak të lëndimeve të marra, ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Përpos goditjeve që shpërndanë mes vete, të dyshuarit kanë shkaktuar edhe dëme materiale në ‘Routte 66’, ku kanë dëmtuar pjesë të inventarit.

Katër të dyshuarit, ku tre nga ta janë shtetas anglez, janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tyre është iniciuar rasti për veprat ‘Sulm’ dhe ‘Asgjësim apo dëmtim i pasurisë’.

Tre shtetasve të huaj u janë konfiskuar përkohësisht pasaportat.

Lexo edhe:  Të shtëna me armë në Skenderaj, policia arreston një person