Rreth 2.3 milionë euro pasuri e sekuestruar në rastin “Mati”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se janë duke u zhvilluar hetime intensive në rastin e koduar “Mati”, në bashkëpunim me hetuesit e Sektorit të Hetimeve Financiare.

Ky rast, në të cilin gjatë muajit shtator të vitit të kaluar ishin arrestuar tre persona, lidhet me dyshimet për veprën penale të shpëlarjes së parave.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, deri më tani është sekuestruar pasuri me vlerë të përgjithshme prej rreth 2,286,054.00 euro, të cilat janë identifikuar dhe sekuestruar gjatë hetimeve të zhvilluara.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, është duke zhvilluar hetime intensive në bashkëpunim me hetuesit e Sektorit të Hetimeve Financiare, në rastin e koduar me emrin “Mati”, ku gjatë muajit shtator të vitit të kaluar ishin arrestuar tre persona.

PSRK njofton opinionin publik se në kuadër të këtyre hetimeve, deri tash pasuria e sekuestruar kap vlerën rreth 2,286,054.00 Euro”, thuhet në njoftim.

Pasuria e sekuestruar, që i përket të dyshuarit me inicialet Sh.C., përfshin: 20 njësi banesore me sipërfaqe të përgjithshme prej 1,788.41 m², me vlerë rreth 1,788,410.00 euro; 2 lokale afariste me sipërfaqe totale 167.54 m², me vlerë 335,080.00 euro; 17 vendparkingje (garazha) me sipërfaqe 241.96 m², vlerësuar në 145,176.00 euro; 6 depo me sipërfaqe 28.87 m², me vlerë 17,388.00 euro.

Të gjitha këto prona janë sekuestruar me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special.

Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet në këtë rast vazhdojnë dhe për çdo zhvillim të mëtejmë do të informohet publiku në kohë.

“Kjo pasuri shtesë është identifikuar gjatë hetimeve në bashkëveprim dhe mbikëqyrje të ngushtë me prokurorin e lëndës nga Prokuroria Speciale, në emrin e të dyshuarit Sh.C., e cila me urdhër ndalues përfundimtar të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special është sekuestruar, si në vijim:

Lexo edhe:  E moshuara rrahet nga punëtorja në Shtëpinë e Pleqve në Pejë (FOTO)

· 20 (njëzet) njësi banesore në sipërfaqe të tërësishme 1788.41 m², me vlerë të përafërt të tregut në lartësi 1,788,410.00 Euro;

· 02 (dy) lokale afariste me sipërfaqe të tërësishme 167.54 m², me vlerë të përafërt të tregut në lartësi 335,080.00 Euro;

· 17 (shtatëmbëdhjetë) vendparkingje (garazha) me sipërfaqe të tërësishme 241.96 m², me vlerë të përafërt të tregut 145,176,00 Euro;

· 6 (gjashtë) depo me sipërfaqe të tërësishme 28.87 m², me vlerë të përafërt të tregut 17,388.00 Euro;

Rasti është nën hetime në drejtim të veprës penale “Shpëlarja e Parasë”, dhe për veprimet tjera publiku do të njoftohet në kohë”, thuhet më tej në njoftim.