Rreth 1 mijë e 500 raste të reja me kancer, numri i të rinjve të prekur në rritje

Rreth 1 mijë e 500 persona janë diagnostikuar me kancer në nëntëmujorin e këtij viti, duke shënuar një rritje prej më shumë se pesë për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Po ashtu, numri i të rinjve të prekur nga kjo sëmundje malinje ka shënuar rritje. Kanceri i gjirit mbetet më i përhapuri te femrat, ndërsa ai i mushkërive vazhdon të dominojë te meshkujt.

Kështu thotë drejtori i Klinikës së Onkologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ilir Kurtishi.

ADVERTISEMENT
Kurtishi derisa potencon se numri i të prekurve me kancer po shënon rritje vazhdimisht, thekson se po përballen me mungesë të infermierëve.

“Në Klinikën e Onkologjisë janë evidentuar rreth 1500 raste, që është një numër përafërsisht më i lartë sesa vitin e kaluar. Edhe pse gjatë këtij viti kemi pasur luhatje në regjistrim ose identifikim të rasteve, tremujorin e parë kishte numër pak më të madh, pastaj numri ka rënë, pastaj kur i kemi grumbulluar të gjitha të dhënat, del që kemi një rritje për këta nëntë muajt e parë diku pesë deri në shtatë për qind sesa vitin e kaluar dhe mbahet trendi i rritjes ose numrit të ri të rasteve të reja, të cilat lajmërohen në Klinikën e Onkologjisë”, tha Kurtishi.

Kurtishi tregon se nga muaji janar deri në gjysmën e muajit shtator janë regjistruar mbi 300 raste të reja me kancer të gjirit te femrat.

“Këta pesë vjetët e fundit dominon kanceri i gjirit, edhe këtë vit. Prapë shifrat janë në numër pak më të larta se vitin e kaluar. Pra, femrat e moshës mbi 50-vjeç janë më të atakuar nga kanceri i gjirit dhe numri më i madh i tyre dhe deri këtë muaj ne kemi regjistruar rreth 300 ose 330 raste të reja femra me kancer të gjirit për herë të parë. Te meshkujt vazhdon të dominojë kanceri i mushkërive dhe menjëherë pas tyre vjen kanceri i zorrës së trashë”, potencon Kurtishi.

Lexo edhe:  “Fiton shumica”, Vedati e Mensuri vazhdojnë si “Stupca” pa Osmanin

Kurtishi thekson se shqetësuese është rritja e numrit të të rinjve të prekur me kancer.

“Është një trend edhe i këtyre moshave, një trend i rritjes së të sëmurëve të moshave të reja, nën moshën 50 ose 40-vjeçare dhe varet prej gjinisë. Përderisa, te meshkujt e rinj kemi një rritje të numrit të rasteve të kancerit të testiteve te djemtë nën 30-vjeç. Ndërsa, te femrat problematike është kanceri i gjirit, kur kemi femra nën 40-vjeç, të cilët prapë janë në numër më të madh me tumoret të gjirit. Edhe pse nën moshë, ka femra të cilat vuajnë ose janë të sëmura me kancer të organeve gjenitale, në mitër, qafë të mitrës ose vezore dhe ky numër ka një tendencë ngritjeje nga viti në vit”, tha Kurtishi.

Ndër të tjera, Kurtishi potencon se po përballen me numrin e reduktuar të infermierëve në këtë klinikë.

“Këtë vit diku katër infermierë kanë migruar në vendet e Bashkimit Evropian, ka infermiere, të cilat për shkak të nevojave fiziologjike, qofshin ato shtatzënive apo lehonave, ne kemi numër të reduktuar dhe gati është përgjysmuar. Andaj, kjo krijon vështirësi shumë të mëdha në menaxhimin e këtij numri kaq të lartë të pacientëve”, tha Kurtishi.

Përveç këtyre, Kurtishi tregon se pritet që objektit të Klinikës së Onkologjisë t’i shtohet edhe një kat tjetër, për të rritur gamën e shërbimeve. Po ashtu, ai thotë se pritet që vitin e ardhshëm të pajisen edhe me një aparat të ri për rrezatim. /kp