Rrëfimi i Valdet Jasharit që në vitin 1998 humbi 11 anëtarë të familjes: Takimi im i fundit me Adem Jasharin
Dëshmi në trup bart edhe një pjesëtar i FSK-së, i cili është nga Prekazi dhe pjesëtar i familjes Jashari.
Valdet Jashari, i cili për 25 vjet veshi uniformë ushtarake, në ofensivën e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998 humbi 11 anëtarë të familjes, derisa vetë mbeti me 11 plagë në trup.
Ai rrëfen takimin e fundit me komandantin Adem Jashari.
Për 25 vjet, veshi disa uniforma ushtarake. Fillimisht atë të UÇK-së, pastaj të TMK-së e tani vazhdon me uniformën e Ushtrisë së Kosovës, atë të FSK-së.
Jashari rrëfen këtë ofensivë dhe takimin e fundit me komandantin Adem Jashari më 4 mars të vitit 1998.“Tha isha me i pa te plagosurit që janë plagos me 27 shkurt në luftën e Likoshanit dhe Qirezit, aty komandanti na dha armatim e municion që ia kishin dhënë shokët, … na tha sonte bëni 4 palë sy sepse fabrika e municionit është mbushur me armatim dhe pritet sulmi çdo moment”, shprehet ai.
“Ditën e 5 marsit në mëngjes herët në mëngjes i kemi dëgju disa krisma rreth lagjes dhe kam dalë në ballkon të shtëpisë së Hamit Jasharit, dhe në atë moment i kam pa tanket serbe , kanë ardhë në drejtim të lagjes, aty i kam lajmëru të gjithë se u rrethakuam nga tankat”, tregon Valdet Jashari.
“Kur ka fillu lufta me 5 mars në mëngjes herët i kam dëgju disa zëra duke këndu, mandej e kam kuptuar që ka qenë Adem Jashari, duke këndu për fillimin e luftës”, thotë ai në rrëfimin e tij për RTK….
Në aksionin e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998 Valdeti humbi 11 anëtarë të familjes.
” Çdo vit që po kalon, kemi emocione çdo here e me të mëdha, si familjar të lagjes Jashari që kemi dhënë shumë për këtë liri, sa here që zgjohem në mëngjes sa kaloj rreth varrezave më rrëqethet trupi , kur i shikoj, është një emocion i veçante, nuk e di si ta shpjegoj”, thotë tutje.
Përtej emocioneve që ia ngjall çdo vit shënimi i Epopesë së UÇK-së, Valdeti shërben për Ushtrinë e Kosovës.“Pas 25 viteve kemi varreza ku mundemi me u përkulë, kemi ushtar të Kosovës që e mbajnë uniformën më krenari që kanë në mendje gjithmonë komandantin Adem Jashari dhe dëshmorët e kombit”, thotë Jashari.
Edhe sot, në 25-vjetorin e Epopesë, nga kazerma që bart emrin e Adem Jasharit, Valdeti thotë se me krenari i shërben atdheut.