Rrahje në mes të Prishtinës – pjesëtari i FSK-së dyshohet për dhunë ndaj të dashurës
Një incident i pazakontë është regjistruar në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe e dashura e tij janë përfshirë në një rast dhune që ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe trajtim mjekësor për të dy.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është iniciuar si pasi që A.B. 21 vjeçar dhe O.S. 21 vjeçare, të cilët ishin në lidhje dashurie për rreth 6 muaj, janë konfrontuar fizikisht në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit.
Sipas deklarimeve në Polici, pas një përndjekjeje dhe tensioni të akumuluar, A.B. dyshohet se e ka kapur nga duart të dashurën, duke i shkaktuar dhunë fizike.
Përveç këtij incidenti, të dy kanë raportuar edhe për një përleshje fizike të ndodhur disa ditë më parë (30 qershor), gjatë një shëtitjeje me veturë, ku kanë rrahur njëri-tjetrin pas një mosmarrëveshjeje.
Pas intervistimit të palëve dhe konsultimit me Prokurorin e Dhunës në Familje, ndaj të dyshuarve është iniciuar procedura penale, ndërsa ata janë liruar në procedurë të rregullt.