Rrahje mes dy personave në një barnatore në Prishtinë

Konfliktet për borxhe jo rrallëherë kanë eskaluar në kanosje serioze e përleshje. Personat që kanë tentuar t’i qërojnë hesapet në këtë formë, për pasojë kanë përfunduar në Polici dhe janë futur në telashe. Kështu dyshohet se ndodhi edhe mbrëmë, ku dy persona u rrahën në një barnatore në kryeqytet.

Sinjali ka mësuar se dy të dyshuarit janë përleshur mes vete në një barnatore në rrugën “Besëlidhja” në Prishtinë për motive që lidhen me një mosmarrëveshje për shkak të një borxhi.

Dy personat e dyshuar, të cilët tashmë kanë përfunduar në pranga të Policisë, u kapën fillimisht me njëri – tjetrin në barnatore dhe më pas kanë vazhduar rrahjen edhe jashtë lokalit.

Në bazë të informacioneve të para, njëri nga të dyshuarit ka përdorur edhe një sëpatë, me të cilën e ka goditur veturën e të dyshuarit tjetër, derisa situata eskaloi dhe intervenoi Policia.

Pasi njësitet policore intervenuan në vendin e ngjarjes, palët janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, e po ashtu kanë marrë edhe trajtim mjekësor.

Ndaj tyre, pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.

Lexo edhe:  Armët u gjetën në vendin ku hidhen mbeturinat – Detaje nga aksioni i policisë në Vushtrri