Rrahje brutale pas mesnate në Leposaviq – I riu përfundon në spital, agresori në arrati

Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete. Një rast i tillë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Soçanic, Leposaviq, ku një i ri ka mbetur i lënduar si pasojë e rrahjes nga një person i dyshuar që ende nuk është kapur nga Policia.

Sinjali mëson se rasti ka ndodhur rreth orës 01:30, në afërsi të një kafiterie të njohur në zonë me emrin “Galiç”. Një zyrtar policor, i cili ndodhej rastësisht në atë lokacion, ka vërejtur një person të lënduar dhe i ka ofruar ndihmën e parë, duke e dërguar menjëherë në Shtëpinë e Shëndetit në Leposaviq.

Viktima është identifikuar si Miloš Mijailović, rreth 21-vjeçar, i cili ka deklaruar se ishte sulmuar fizikisht nga Djordje Batacanin, dhe si pasojë e sulmit ka pësuar lëndime në kokë. Sipas mjekut kujdestar, lëndimet janë të natyrës së lehtë, por viktima është dërguar për trajtim të mëtejshëm në Spitalin e Mitrovicës Veriore.

Lidhur me rastin, Policia ka ndërmarrë veprimet hetimore, por i dyshuari ende nuk është gjetur.

Ndërkohë, Prokurori kujdestar ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Lëndim i lehtë trupor” dhe të vazhdojnë hetimet

Lexo edhe:  Nën vargjet e këngës kuashtuar Adem Jasharit: FC Shkupi vazhdon përgatitjet për sezonin e ri