Rrahja që nisi për borxh, u bë sebep që Dibran Rrecaj të kapej për ta vuajtur dënimin për drogë

Një borxh i papaguar, një zjarr i qëllimshëm dhe një rrahje brutale – kështu nisi fundi për Dibran Rrecajn në Fushë Kosovë.

I njohur për të kaluarën e tij me drejtësinë, Rrecaj fillimisht u raportua si viktimë e një zjarrvënieje, por vetëm pak muaj më vonë, një përleshje e dhunshme për një borxh e nxori atë në pah. Në duart e policisë, doli në shesh edhe një e kaluar tjetër e tij: një urdhërarrest për trafikim droge.

Sinjali sjell ekskluzivisht prapaskenat e kësaj historie, ku një viktimë u shndërrua në të arrestuar, duke përfunduar pas grilave për një dënim që e kishte shmangur për një kohë të gjatë.

Gjithçka nisi me një ngatërresë për borxh që eskaloi në një lokal në Fushë Kosovë. Konflikti nuk solli vetëm arrestime për dhunë, por zbuloi edhe një prapavijë tjetër: njëri nga të përfshirët, Dibran Rrecaj, rreth 41-vjeçar, rezultoi në kërkim për një dënim me burg.

Sipas burimeve të sigurta të Sinjalit, mbrëmë,  në lokalin “Ana Paradise Massage” në rrugën Hajrulla Zymi, ndodhi një përleshje fizike mes Valon Gucatit, rreth 44-vjeçar, Çlirim Susurit, rreth 26-vjeçar dhe Dibran Rrecajt.

Pas një mosmarrëveshje për një borxh, Gucati dhe Rrecaj dyshohet se sulmuan Susurin, duke i shkaktuar lëndime trupore, ndërkohë që ky i fundit mbante edhe një armë të ftohtë (thikë).

Me të marrë vesh rastin, Policia menjëherë ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes, ku ndaj Susurit është iniciuar rasti “Kanosje”, ndërsa ndaj Gucatit dhe Rrecajt “Lëndim i lehtë trupor”.

Mirëpo, kontrolli më i thelluar zbuloi se Dibran Rrecaj kishte një urdhër-arresti aktiv për një dënim prej 1 viti burgim për veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve”.

Rrecaj është arrestuar dhe transferuar për të vuajtur dënimin në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali.

Lexo edhe:  I ra të fikët teksa po ecte, vdes një person

Por historia nuk ndalet këtu.

Sinjali mëson se Dibran Rrecaj, i cili tashmë do të vuajë dënimin për drogë, kishte qenë viktimë e një zjarrvënieje në tetorin e kaluar.

Më 14 tetor 2024, në të njëjtën rrugë ku ndodhi përleshja, vetura e tij VW Golf 7 u përfshi nga flakët. Sipas hetimeve, zjarrvënia ishte e qëllimshme, ku autorët kishin përdorur lëndë djegëse (karburant).

Fatmirësisht, atëherë nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Një rrugëtim dramatik i një njeriu që brenda pak muajve nga viktimë, kaloi në të ndaluar për krime të rënda.