Rexhbeçaj bëhet i Kosovës
Futbollisti i njohur, Elvis Rexhbeçaj, ka nënshkruar sot për Kombëtaren e Kosovës në prani të përfaqësuesit të Federatës së Futbollit të Kosovës për Gjermani, Fekmi Kongjeli (i cili ka mbajtur kontaktin me Elvisin), vëllait të tij Blendard Rexhbeçaj, i cili njëherësh është menaxheri i tij, si dhe biznesmenit Afrim Osmanaj. Letra konfirmuese u nënshkrua me presidentin e FFK-së, Agim Ademi, i cili u shpreh shumë i kënaqur me këtë prurje të re tek Dardanët.
Ademi theksoi rëndësinë e këtij transferimi për Kombëtaren e Kosovës, duke vlerësuar lart profilin dhe aftësitë e Rexhbeçaj, të cilat do të jenë një shtesë e çmuar për ekipin e drejtuar nga Franco Foda.
Edhe vetë futbollisti, Elvis Rexhbeçaj, shprehu entuziazmin e tij për këtë vendim të rëndësishëm në karrierën e tij. Ai falënderoi familjen për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe Agim Ademin dhe Fekmi Kongjelin, për përpjekjet dhe kontaktet e vazhdueshme ndër vite.