Reagon polici mitrovicas Dylot Brahimi, pasi Serbia lëshoi urdhërarrest: Sot, më shumë se kurrë, ndihem i vendosur të vazhdoj me nder

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Dylot Brahimi, ka reaguar publikisht pas lëshimit të një fletarrestimi nga autoritetet serbe në lidhje me një incident që ndodhi me maturantë në veri të Kosovës një ditë më parë.

Përmes një postimi në Facebook, Brahimi ka shprehur vendosmërinë e tij për të vazhduar punën me përkushtim dhe integritet.

“Sot, më shumë se kurrë, ndihem i vendosur të vazhdoj me integritet, me përkushtim dhe me nder. Të punoj me gjithë zemër për një polici të drejtë, transparente dhe gjithmonë pranë qytetarëve”, ka shkruar ai.

Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për përkrahjen që ka marrë nga qytetarët pas kësaj situate.

“Të nderuar kolegë, miq, dhe të gjithë ata që më kanë përkrahur, Sot qëndroj para jush me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe krenarie… çdo fjalë inkurajuese, çdo dorë që më është zgjatur, çdo besim që më është dhënë — të gjitha kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në përkushtimin tim për këtë detyrë”, ka thënë Brahimi.

Ai shtoi se puna në Policinë e Kosovës nuk është thjesht profesion, por “një thirrje”, dhe se përkrahja që ka marrë është forca që e shtyn të ecë përpara.

“Ju më keni dhënë motivimin që të jem më i mirë çdo ditë, më keni rikujtuar pse kjo punë ka kaq shumë rëndësi… Le të ecim përpara së bashku — me besim, unitet dhe përkushtim ndaj të mirës së përbashkët”, përfundoi ai.

Lexo edhe:  Arrestohet i dyshuari për tentim dhunim të një burri në Istog