Reagon Këshilli i Prindërve: Pagat e mësimdhënësve duhet dhënë
Këshilli i Prindërve i Kosovës përmes një postimi në Facebook i ka bërë thirrje qeverisë që të ekzekutohen pagat për nxënës.
Në reagimin e tyre thuhet edhe se grevat në arsimin e obligueshëm duhet të rregullohen me ligj dhe jo siç u shprehën ata me forma të tjera “disiplinimi”.
“Si Këshill i Prindërve kemi avokuar, arsyetuar dhe deklaruar gjithnjë në të drejtën kushtetuese dhe njerëzore të fëmijëve tanë për përkujdesje, edukim dhe arsimim publik të pamohueshëm nga askush. Kundërshtimi ynë kryesor ndërlidhet me të drejtën monopolizuese të SBASHK për të “mbyllur” e “hapur” shkollat sipas vlerësimeve të pak individëve dhe në dëm të plotë ndaj fëmijëve e prindërve”, thuhet në postimin e tyre.
Tutje, ata thonë se nuk janë dakord që të krijojnë një situatë edhe më të rëndë se vetë greva.
“Por, asnjëherë nuk jemi dakord që ne të krijojmë një situatë edhe më të rëndë (sesa vetë greva) dhe të gjithë ata mësimdhënës të ngelen pa paga për diçka që shteti i Kosovës e ka pranuar vazhdimisht të mirëqenë dhe asnjëherë nuk iu është ndaluar paga. Grevat në arsimin e obligueshëm duhet të rregullohen me ligj dhe jo me forma të tjera “disiplinimi”. Andaj, si Këshill i Prindërve i Kosovës i bëjmë thirrje institucioneve të Qeverisë së Kosovës të bëjnë ekzekutimin e plotë të pagave të mësimdhënësve pa vonesë. Nëse nuk mund ta bëni më mirë arsimin, së paku mos e bëni më keq”, thuhet tutje në postimin e tyre.