Reagon gruaja e Adem Mikullovcit pas shpifjeve se nuk iu rregullua varri aktorit
Pas një sërë shkrimesh në disa portale lidhur me gjendjen e varrit të aktorit të madh Adem Mikullovci dhe së fundmi edhe të aktores Leze Qena-Spaqi, ka reaguar publikisht bashkëshortja e Mikullovcit, Lumnije Tufa-Mikullovci.
Ajo e ka cilësuar këtë si një shpifje të ulët që synon të dëmtojë nderin e familjes Mikullovci dhe kujtimin e dy ikonave të teatrit dhe filmit shqiptar, shkruan “Jepi zë”.
“Është gënjeshtra e radhës dhe një përpjekje e ulët për të komprometuar nderin e familjes Mikullovci. Të përflitet një njeri i vdekur pas katër vitesh, të gjykohet familja mbi bazën e një varri, është jo vetëm turp, por një shkelje e rëndë e etikës njerëzore dhe gazetareske. Kjo nuk është në asnjë mënyrë pjesë e traditës sonë shqiptare”, shkruan ajo.
Tufa-Mikullovci thekson se varri i bashkëshortit të saj është i rregulluar me respekt dhe dinjitet, ndërsa çdo shkrim tjetër që sugjeron të kundërtën e quan shpifje të pashembullt.
Ajo paralajmëron se në rast të vazhdimit të këtyre publikimeve, do të ndjekë rrugën ligjore.
“Nëse vazhdoni me shpifje dhe publikime të rreme, do të përballeni me padi penale për dëmtim të reputacionit të familjes së Adem Mikullovcit dhe Leze Qena-Spaqi. Heshtja që kam mbajtur për vite s’do të thotë se kam qenë e dobët — do të thotë se kam pasur dinjitet. Tani mjaft më. Mirupafshim në gjykatë,” përfundon reagimin e saj.