Rasti i dhunimit të 16-vjeçares në Vushtrri: Ky është i arrestuari, deklaron se gjithçka ndodhi me dëshirë

Ngacmimet, sulmet dhe dhuna seksuale ndaj vajzave dhe grave në Kosovë janë shndërruar në një fenomen shqetësues. Pothuajse çdo ditë raportohen raste të tilla, ku viktima jo rrallëherë janë edhe të miturat. Kështu ndodhi me një rast që u zbulua gjatë ditës së djeshme në Vushtrri.

Një person u arrestua dhe përfundoi në ndalim policor, nën dyshimin se ka kryer marrëdhënie seksuale me një 16-vjeçare. E mitura dhe i dyshuari u kapën në flagrancë në Vushtrri, duke qëndruar në një rrugë, ku i riu dyshohet se e mbante me forcë viktimën.

Sinjali ka mësuar se i dyshuari që u arrestua nga Policia është Kastriot Zeqiri, rreth 25-vjeçar.

I dyshuari dhe vajza gjatë dhënies së dëshmisë në Polici kanë deklaruar se me dëshirën e të dyve kanë pasur raport intim dhe asgjë nuk ka ndodhur me forcë.

Të njëjtat burime thonë se i dyshuari e ka mohuar po ashtu se ka qenë në dijeni për moshën e vajzës.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, 25-vjeçari është dërguar në mbajtje, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Dhunimi”.

“Policia gjatë patrullimit kanë takuar duke qëndruar në rrugë të dyshuarin mashkull kosovar i cili ishte duke mbajtur me forcë viktimë femër kosovare të mitur. Të njëjtit janë shoqëruar në NJHP-Prishtinë dhe gjatë intervistimit kanë pranuar se me dëshirën e dy palëve kanë kryer marrëdhënie seksuale. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.“ – ka njoftuar Policia

Lexo edhe:  Politikani serb Sandulovic rikthen vizitën tek varrezat e Jasharajve: Kërkova falje, edhe për ata që s’kërkuan