Rast i rrallë: Në Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” hiqet tumor rreth 4 kilogramë
Një intervenim i ndërlikuar kirurgjik është realizuar me sukses në Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, ku mjekët kanë arritur të heqin një masë tumorale me peshë rreth 4 kilogramë.
Sipas njoftimit nga spitali, pacientja me inicialet Sh.K., e lindur në vitin 1968, ishte pranuar në repartin e Kirurgjisë me dhimbje të forta, fryerje të barkut dhe pengesa serioze në tretje. Pas ekzaminimeve të detajuara imazherike dhe laboratorike, ekipi mjekësor e diagnostikoi me Tumor Permagna abdominis, një tumor me përmasa shumë të mëdha në bark, si dhe me Peritonitis serosa, inflamacion i membranës së barkut i shoqëruar me grumbullim lëngu.
Për shkak të rrezikut dhe përmasave të tumorit, u vendos për ndërhyrje të menjëhershme kirurgjike. Operacioni përfshiu heqjen e plotë të tumorit, eksplorimin e zgavrës së barkut, lavazhin dhe vendosjen e drenazhit. Gjatë operacionit, mjekët arritën të largojnë me sukses masën tumorale, duke eliminuar rrezikun për jetën dhe duke rikthyer funksionet vitale të pacientes.
Aktualisht, pacientja ndodhet në gjendje stabile shëndetësore, ndërsa masa tumorale është dërguar për ekzaminim histopatologjik në QKUK.
Suksesi i këtij intervenimi i atribuohet punës ekipore të kirurgëve, anesteziologëve dhe stafit mbështetës, ku bënin pjesë kirurgët Fatbardh Rexha dhe Linda Uka‑Musa, anesteziologu Veton Pllana, si dhe instrumentaret, teknikët e anestezionit dhe infermierët që asistuan gjatë operacionit.

