Qytetarët në radhë para Qendrës së Patent-Shoferëve në Mitrovicë, stafi nuk punon për shkak të kundërmimit

Qendra e Patent-Shoferëve në Mitrovicë sot nuk ka ofruar shërbime për qytetarët.

Në hyrje të objektit pas orës 09:00 kur edhe duhej të niste puna e tyre, është vendosur një njoftim ku thuhet se stafi nuk mund të punojë “për shkak të kundërmimit në objekt”.

Shërbimet për paraqitjen e provimeve dhe procedurat tjera administrative janë pezulluar për të gjithë ditën.

Qytetarët që kishin ardhur për regjistrim të provimeve thonë se nuk kanë marrë asnjë informacion paraprakisht nga institucionet përgjegjëse.
Nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MPHPI), kanë konfirmuar për Dukagjinin se mbyllja është bërë për sigurinë e stafit dhe qytetarëve.

Ata shtojnë se vendimi është marrë nga menaxhmenti përkatës dhe ekipet po punojnë për zgjidhjen e situatës.

“Ju njoftojmë se mbyllja e përkohshme e zyrës së Qendrës së Patent-Shoferëve në Mitrovicë është bërë për shkak të kundërmimit në objekt, me qëllim të sigurisë së stafit dhe qytetarëve.

Vendimi është marrë nga menaxhmenti përkatës dhe ekipet përgjegjëse janë duke punuar në identifikimin dhe zgjidhjen e situatës. Shërbimet pritet të rikthehen pas normalizimit të kushteve dhe sapo të ketë një informacion të saktë për rifillimin, publiku do të njoftohet në mënyrë zyrtare”, thuhet në përgjigjen e tyre

Lexo edhe:  Opozita fiton karshi pushtetit, dështon seanca e Kuvendit