“Qysh mos me dyshu prindi, kur u kthyen në punë punëtorët që dyshohet se e vendosën trupin e foshnjës në lavatriçe”
Gazetari hulumtues në sektorin e Shëndetësisë, Bujar Vitija ka reaguar pas vdekjes së foshnjës në Spitalin e Pejës.
Ai ka thënë se gjithsecili prind ka të drejtë të dyshojë kur e di që punëtorët që ishin suspenduar për futjen e foshnjës në lavatriçe janë rikthyer në punë.
“Secilit prind që i vdes foshnja në këtë spital, mundet me i pasë dyshimet e njëjta”.
Më tej, gazetari hulumtues ka treguar se menaxherët e Spitalit të Pejës, sipas tij, janë të afërt me partinë në pushtet.
“Ky është imazhi i këtij institucioni pas skandalit me foshnjën ne rrobalarëse. Menaxherët e spitalit të afërt me partinë në pushtet u kursyen, ndërsa para disa ditësh u kthyen në punë punëtoret që dyshohet se e vendosen trupin e foshnjës në lavatriçe”, ka shkruar Vitija në rrjetin e tij social në Facebook.
Vitja ka përfunduar duke thënë se “Qysh mos me dyshu prindi”.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova, për Portalin Dukagjini ka thënë se dyshohet se në Spitalin e Pejës një foshnjë ka lindur e vdekur.
Ndërsa, sipas tij, prindi i foshnjës e ka fajësuar stafin mjekësor dhe me urdhër të prokurorit trupi i foshnjës është dërguar për obduksion për hetim të mëtutjeshëm.
“Rr. Nënë Tereza, Pejë 08.03.2023 – 17:00. Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se në Spitalin e Pejës gjatë lindjes, foshnja ka vdekur dhe sipas ankuesit (babai) dyshon që ka qenë neglizhencë e stafit mjekësor”.
“Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në IML për obduksion”, ka njoftuar Policia e Kosovës.