QKUK rrezikon të mbetet pa infermierë, mbi 600 ikën vetëm këtë vit
Qendra Klinike Universitare (QKUK) po braktiset nga infermierët, të cilët çdo ditë e më shumë po ikin jashtë Kosovës.
E kjo gjendje sipas Naser Rrustemit, kryetar i Odës së Infermierëve të Kosovës, është alarmante, pasi që numri i atyre që po ikin nga spitalet e Kosovës është në rritje.
“Sa i përket ikjes së infermierëve me të vërtetë është alarmante, shqetësuese..Kjo është një shifër shqetësuese, ku duhet të shqetësohet prej kryeparlamentarit, presidentes, Ministrisë së Shëndetësisë dhe organeve tjera në mënyrë që ta përmirësojmë me një pagë të dinjitetshme, kushte të punës më të mira, ndërrime të natës më të mira dhe nuk lypim as më shumë as më pak. Mirëpo besoj që kjo është vonë “,tha ai.
Vetëm këtë vit sipas shifrave që ka Oda e Infermierëve të Kosovës janë larguar 630 infermierë. Por sipas Rrustemit kjo shifër është dukshëm më e madhe.
“Ikja e infermierëve është me të vërtetë me një numër shumë të madh sidomos këtë vit. Është diku 630 infermierë që ne i kemi në evidencë. Por kjo shifër as për së afërmi s’është e tillë”, tha ai.
Rrustemi madje thotë se infermierët e rinj nuk janë aspak të interesuar që të qëndrojnë në Kosovë dhe të punojnë në spitalet tona, me këto kushte dhe pagën që marrin. E kjo sipas tij shihet më së mirë në konkurset që hapen, e në të cilat ka shumë pak infermierë që konkurrojnë. E kjo gjendje sipas tij është me të vërtetë brengosëse.
Edhe pse është shumë afër pensionit, ikja nga Kosova ka joshur dhe Rrustemin, i cili thotë se për këto pak vite pune sa i kanë mbetur deri në pensionim, po mendon të ik jashtë. Degradimi që i është bërë këtij sektori sipas tij ka bërë që dhe infermierët të cilët kanë punuar që 20 vite, janë në gjendje ta lëshojnë punën dhe të shkojnë jashtë.
“Unë këtë kohë jam i interesuar mos me nejt ma në këtë vend. Sepse nuk punohet asgjë në të mirën e profesionistëve shëndetësor”, tha ai.
Rrustemi thotë se çdo ikje e infermierëve jashtë Kosovës mbetet shqetësuese dhe se me këtë trend për tre apo pesë vjet, Kosova rrezikon të mbetet pa profesionistë shëndetësor.
Ndërsa thotë se përkundër kësaj gjendje të krijuar, nuk po shihet ndonjë lëvizje që po ndërmerret nga institucionet përkatëse, për ta ndryshuar situatën.
E sa i përket Ligjit për paga për profesionistët shëndetësorë, ai thotë se nuk janë aspak të kënaqur dhe se ende nuk janë në dijeni për vlerën e koeficientit. Por nëse koeficienti nuk do të jetë ai që ata presin, atëherë ata do të reagojnë ashtu siç dhe kishin bërë me herët me Ligjin paraprak, të cilin e kishin dërguar tek Avokati i popullit. Ai thotë se nuk janë të interesuar që ky Ligj të mos kaloj, por kërkojnë që profesionistët shëndetësor të vlerësohen dhe të marrin pagën që meritojnë.
“Por nëse shkelen të drejtat elementare të profesionistëve shëndetësor, sigurisht që edhe ne do të reagojmë ashtu siç kemi bërë dhe më përpara. Gjë që askush nuk e dëshiron. Ne dëshirojmë ta kemi një ligj të pagave, i cili është i dinjitetshëm për profesionistët shëndetësor. Ky është mision i joni dhe këtë mision ne duhet deri në fund ta qojmë”, tha ai.