Pushteti në Skenderaj shpërblen anëtarin e PDK’së, reagon opozita

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj ka akuzuar kryetarin Fadil Nura se ia ka dhuruar anëtarit të PDK’së një objekt për shfrytëzim pa procedurë, e cila është pronë e komunës.

Insjaderi ka mësuar se ky objekt i është dhënë në shfrytëzim bashkëshortes së pjesëtarit të PDK’së, Blerim Fazliut.

Sipas burimeve, objekti prej 132m2 është dhënë për ta shfrytëzuar një vit me çmimin prej 2400 euro dhe se do të shfrytëzohet si barnatore.

Përmes një postimi në Facebook, asamblisti nga radhët e VV’së, Hysni Mehani ka thënë se kryetari Nura i ka shkaktuar 20 mijë euro dëm komunës.

“Komuna e Skenderajt e ka lëshuar me qëra për një çmim rreth 200€ në muaj. Dëmi vjetor që i shkaktuar Fadil Nura interesit të komunës kur ia ka dhënë anëtarit të partisë së tij këtë pronë është rreth 20 mijë euro në vit”, ka shkruar Mehani.

Mehani kërkoi nga Nura që të anulojë marrëveshjen me anëtarin e PDK’së dhe të krijoj një ankand publik për ata që duan të konkurrojnë.

“Si këshilltar komunal, kërkoj nga u.d Fadil Nura,

1. Që ta anulojë marrëveshjen e jashtëligjshme me të cilën ja ka dhënë këtë pronë anëtarit të partisë së tij, pa zhvilluar anjë procedurë siç e parasheh ligji.

2. Të hapë Ankand Publik për këtë pronë dhe të krijojë mundësi të barabartë për të gjithë bizneset që duan të konkurrojnë.

3. Ta mbrojë interesin e komunës për çka është i obliguar sipas ligjit”, u shpreh Mehani.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar me zyrtarët e komunës së Skenderajt.

Nga zyra për media kanë thënë se objekti është dhënë në bazë të rregullores për dhënien e pronës së paluajtshme në shfrytëzim.

Lexo edhe:  Dy të plagosur në Ferizaj pas të shtënave me armë, kjo është gjendja e tyre shëndetësore

”Ky objekt i cili për vite me radhë është i pashfrytëzueshëm, është dhënë në shfrytëzim në bazë të rregullores numër 01-463/01-0051690/20 për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim për më pak se një (1) vit të pronës së paluajtshme të komunës dhe raportit final të komisionit Nr. 05-353/01-0033203/22 i datës 25.08.2022 për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për dhënien në shfrytëzim me pak se një vit të pronës se paluajtshme si dhe konfirmimit nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale nr.08-463/02-0043622/22 i datës 23.08.2022”, tha zëdhënësi për media, Amir Lushtaku.

,Më tej, Lushtaku thotë se qeraja është caktuar në bazë të në bazë të rregullores për Taksa, Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba.

“Duke u bazuar në aktet ligjore dhe në rekomandimet e komisionit për dhënie në shfrytëzim për më pak se 1 vit të pronës së paluajtshme të komunës, kryetari ka nënshkruar marrëveshjen si Zyrtari Kryesor Administrativ kurse qeraja për pronën publike të shfrytëzuar nuk caktohet në bazë të marrëveshjes por në bazë të rregullorës për Taksa, Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba e cila është miratuar me datë 06.06.2022 Kuvendin Komunal të Skenderajt!”, thuhet në përgjigje.