Punëtori i kompanisë “Fitorja” në Ferizaj rrëzohet nga kati i dytë, dërgohet në QKUK me lëndime të rënda
Edhe pse rastet e lëndimeve të punëtorëve në vendet e punës nuk janë të rralla, kushtet nëpër kompanitë private po vazhdojnë të jenë të këqija, e ku prej të cilave po pësojnë më së shumti punëtorët. Sinjali raportoi dje për një rast që përfundoi tragjikisht në Prizren, ndërkohë që një incident i tillë ka ndodhur edhe në Ferizaj.
Siç mëson Sinjali, një punëtor i kompanisë “Fitorja” është lënduar gjatë ditës së djeshme teksa ka qenë duke punuar në një objekt në rrugën “Ganimete Tërbeshi”.
Viktima ka rënë nga kati i dytë i objektit ku punonte dhe për pasojë ka marrë lëndime të rënda trupore.
Sipas burimeve brenda Emergjencës, punëtori është trajtuar fillimisht në Ferizaj, e më pas është dërguar në këtë qendër, ku po vazhdon trajtimin mjekësor.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët bashkë me Inspektorët kanë dalë në vendin e punës për t’i kryer ekzaminimet e nevojshme lidhur me rastin.
Ndërsa, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar hetimi për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Gazeta Sinjali ka tentuar ta marrë edhe versionin e kompanisë, por numri kontaktues ka qenë i paqasshëm.