Punëtor i Trepçës lëndohet rëndë në një punishte ku ishte e ndaluar puna – Policia nuk lejohet të hyjë, Inspektorati nuk njoftohet

Një punëtor i kompanisë “Trepça” është lënduar rëndë më 4 gusht rreth orës 17:10, teksa po punonte në horizontin e 9-të të minierës, në një punishte ku, sipas burimeve, ishte e ndaluar të kryheshin punime.

Ngjarja ka ndodhur kur ka shpërthyer goma e një mjeti punues, e cila e ka goditur punëtorin dhe i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore. Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, ai ka pësuar frakturë në dorë, brinjë të thyera, çarje në kokë si dhe dëmtime të tjera në krah. Aktualisht, i lënduari ndodhet i shtruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Burime të afërta me rastin bëjnë të ditur se Policia nuk është lejuar të hyjë në vendin e ngjarjes për të zhvilluar hetime, për shkak se incidenti ka ndodhur në një zonë ku puna ishte e ndaluar. Po ashtu, nuk është njoftuar as Inspektorati i Punës apo ai për Miniera, siç parashihet me ligj në raste të tilla.

 

Minatorë të tjerë të cilët janë në dijeni për ngjarjen, kanë shprehur shqetësimin se nuk guxojnë të flasin publikisht apo të raportojnë rastin, nga frika se mund të përballen me pasoja, përfshirë edhe largimin nga puna – një praktikë që, sipas tyre, ka ndodhur edhe më parë me punëtorë të tjerë.

Rasti ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë në punë, zbatimin e rregulloreve ligjore, si dhe trajtimin e punëtorëve në ndërmarrjen “Trepça”.

Lexo edhe:  Ky është parashikimi i motit për sot