Publikoi video duke shtënë me armë, 37-vjeçari nga Peja përfundon në Polici – i sekuestrohet pistoleta
Publikimi i videove e fotove të ndryshme në rrjete sociale shpesh po i fut kosovarët në sherr me Policinë. Ata jo rrallëherë dalin të jenë merakli të mbajtjes së armëve, kryesisht pa leje dhe me ekspozimin e tyre në rrjete sociale, tentojnë të shfaqen si të “fortë” dhe të pakapshëm për organet e rendit.
Një rast i tillë është zbuluar dje në Pejë, ku një 37-vjeçar ka përfunduar në Polici pasi ka postuar video duke shtënë me armë zjarri.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se i dyshuari, pas publikimit të videos, është kontaktuar nga hetuesit dhe është ftuar të paraqitet në stacionin policor.
Gjatë intervistimit, ai ka pranuar se kishte shtënë me armë para pesë vitesh, duke deklaruar se nuk e posedonte më atë armë.
Megjithatë, pas një kontrolli të kryer në shtëpinë e tij nga patrulla policore, hetimet dhe njësia e krim-teknikës, është gjetur arma e zjarrit së bashku me fishekët dhe karikatorin, të cilat janë sekuestruar.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit kujdestar, i cili ka urdhëruar që i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, hetimet për zbardhjen e detajeve të rastit janë duke vazhduar.