Protestuesit në Beograd djegin selinë e partisë së Vuçiqit

Zyrat e Partisë Progresive Serbe (SNS), në pushtet, janë vënë në flakë gjatë natës së pestë me radhë të trazirave, të shoqëruara nga përplasje të reja mes protestuesve antiqeveritarë dhe policisë speciale.

Policia në qytetin e Valjevës raportohet se përdori granata shokuese dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve, pasi një grup i vogël personash të maskuar sulmoi ambientet bosh të SNS-së. Ka pasur akuza të shumta për dhunë dhe brutalitet policor në kryeqytetin Beograd dhe në Novi Sad, të cilat janë mohuar nga ministria e Brendshme e Serbisë.

Ngjarjet ndodhin ndërkohë që Rusia ka premtuar ndihmë për presidentin pro-Moskë Aleksandar Vuçiq, i cili udhëheq SNS-në, duke thënë se nuk do të “qëndrojë pa reaguar”. Protestat u nxitën fillimisht nga shembja e stacionit hekurudhor në Novi Sad në nëntor të vitit të kaluar, ku humbën jetën 16 persona. Shumë qytetarë fajësojnë korrupsionin e qeverisë së Vuçiqit për këtë katastrofë.

Ndërsa demonstratat anti-korrupsion kanë nxjerrë në rrugë qindra mijëra qytetarë, deri të mërkurën ato kishin qenë kryesisht paqësore, kur besnikë proqeveritarë organizuan kundër-protesta.
Të shtunën në mbrëmje, policia speciale u dislokua sërish në disa qytete, përfshirë Beogradin, pasi qytetarët dolën në demonstrata duke kërkuar zgjedhje të parakohshme. Zyrat dhe flamujt e SNS-së ishin në qendër të zemërimit të protestuesve.

Protestuesit gjithashtu thyen xhamat e selisë së Partisë Radikale Serbe, që drejtohet nga Voislav Sheshel dhe që është partnere në koalicion me SNS-në.

Gjatë javës janë raportuar të plagosur në protesta në gjithë vendin, ndërsa në rrjetet sociale kanë qarkulluar video të paverifikuara, ku shihet policia duke rrahur një burrë në Valjevë.

Lexo edhe:  Gruaja e denoncon burrin për dhunë fizike e psikike, kërkon ndihmë nga Policia