Pronari i pishinës “SunTea” në Prizren u arrestua sërish, përfundoi në mbajtje për ngacmim

Pa u bërë dy muaj nga arrestimi i fundit për një rast të kanosjes, i riu nga Prizreni, Ardit Krasniqi, pronar i pishinës “SunTea” në këtë qytet, ka rënë para disa ditësh sërish në prangat e Policisë. Edhe këtë herë, incidenti dyshohet se ndodhi brenda hapësirave të biznesit të tij.

Krasniqi, që njihet në Prizren me nofkën “Qorri” është arrestuar më 28 korrik, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Ngacmimi”.

Ai po dyshohet për ngacmimin e një vajze, të moshës madhore, teksa ndodheshin në pishinë, e me të cilën në të kaluarën kanë pasur një raport të afërt.

Lajmin për arrestimin e të dyshuarit e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Prizren.

Nga Policia kanë bërë me dije se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti dhe më pas i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Por, për rastin e fundit ka folur vet “Qorri” i cili është kontaktuar nga Sinjali, për ta konfirmuar nëse Gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj tij.

Ai thotë se nuk është arrestuar, por vetëm është marrë në pyetje, duke tentuar që t’i paraqes informacionet për rastin e fundit si të gabuara dhe që kanë lidhje me arrestimin e tij në qershor.

“Jo s’jom arrestu, veç më kanë marrë në deklaratë. Jom kanë para një muaji i arrestum, që e keni qitë rastin” – tha ai për Sinjalin.

Megjithatë, Sinjali do ta kërkojë informacione edhe nga Gjykata Themelore në Prizren për ta konfirmuar se cila masë e sigurisë është caktuar ndaj tij.

Për incidentin të cilit i referohet Krasniqi, Sinjali ka raportuar ekskluzivisht më 21 qershor.

Lexo edhe:  Përfundojnë pushimet verore, rikthehen kolonat në kryeqytet

Një rrahje që kishte ndodhur atë muaj në Prizren pasoi me kërcënime mes palëve të përfshira.
Njëri prej tyre ishte edhe Krasniqi, ndaj të cilit Gjykata mori vendim për masën e arrestit shtëpiak, si i dyshuar për veprën “Kanosje”.