Pronari i një hosteli në Prishtinë arrestohet për dhunimin e klientes, përfundon në ndalim
Një rast i dhunës seksuale është denoncuar të mërkurën në Policinë në Prishtinë.
Këtë herë, viktimë është një shtetase e huaj, ndërsa i dyshuar është pronari i një ‘Hosteli’ në qendër të kryeqytetit.
Sinjali ka mësuar se rasti ka ndodhur në objektin e hostelit në rrugën “Luan Haradinaj”.
Bazuar në informacionet e para, viktima ka qenë kliente në hostel, ku kishte qëndruar bashkë me një mike të saj, kur dyshohet se ndodhi rasti.
Sipas burimeve 25-vjeçarja ka deklaruar se i dyshuari ka kryer marrëdhënie seksuale me të pa pëlqimin e saj, edhe pse ajo fillimisht e kishte refuzuar që të kenë një raport intim.
Si rezultat i denoncimit, viktima është dërguar për ekzaminime mjekësore, ndërkaq është arrestuar i dyshuari.
Pas shoqërimit në stacion dhe intervistimit nga hetuesit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor ndaj tij dhe inicimin e hetimit.