Prokuroria Speciale nis hetimet edhe ndaj Liburn Aliut
Prokuroria Speciale ka nisur hetimet edhe ndaj Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut, pas raportimeve shtatë mujore të Albanian Post për shlyerjen ilegale të Borxheve për kompanitë që merren me ambalazhimin e ujit dhe prodhimin e pijeve në Kosovë.
Mediumi Nacionale ka siguruar dokumentin nga prokuroria ku konstatohet aktvendimi për zgjerim të hetimeve edhe kundër të pandehurit “Liburn Aliu, lindur me 10 prill 1975”.
“Ekziston dyshim i arsyeshëm se gjatë periudhës prej vitit 2021 deri 2024 në cilësinë e personit zyrtar në pozitën e Ministrit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerë dhe për t’i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës, ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e tij zyrtare”, thuhet në aktvendim.
Naser Hafizi dhe Izedin Bytyqi, dy zyrtarë të lartë, u prangosën pas raportimeve shtatëmujore të Albanian Post mbi keqpërdorimet dhe vjedhjet multimilionëshe të lidhura me borxhin e kompanive të pijeve dhe ambalazhimit të ujit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e cila udhëhiqet nga ministri Liburn Aliu.
Albanian Post kishte filluar raportimin rreth shkeljeve ligjore në rastin e shlyerjes së borxheve për ambalazhuesit e ujit në prill të këtij viti.
Aty ishte zbërthyer një pjesë e skemës, ku Naser Hafizi kishte prodhuar procedura jo ligjore për të shlyerjen e borxheve milionëshe me shifra simbolike.
Marrë shkasë këtë raportim, Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – pas një hetimi disa mujor – organizuan një aksion e cila rezultoi me arrestimin e sekretarit të kësaj ministrie, Izedin Bytyqit, e shpalljes në kërkim të Naser Hafizit, Ushtruesi i detyrës në pozitën e Udhëheqësit të Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore.
Ai më pas u arrestua me 10 tetor dhe iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Hafizi dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.
Ndërkaq, Bytyqi sipas Prokurorisë Speciale dyshohej se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Nga hetimi i Prokurorisë, deri më tani ka rezultuar se Hafizi vetëm në 11 muajt e fundit ka blerë 4 banesa dhe patundshmëri të tjera, derisa vetëm në muajin shkurt të këtij viti ka qarkulluar 395 mijë euro në xhirollogarinë e tij dhe në periudha të ndryshme ka deponuar 109 mijë euro përmes bankomatit, derisa pagën mujore e ka vetëm 732 euro.
Sipas Prokurorisë, zyrtari i lartë i MMPHI-së disa here ka hyrë e ka dalë nga Kosova brenda një dite nga pikë kalimi kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në seancën e së mërkurës në Kuvendin e Kosovës u diskutua për aferën e ambalazhuesve të ujit, por kjo seancë u bojkotua nga pushteti.
Ndërkohë, opozita kërkoi që ndaj personave përgjegjës të ndërmerren masat adekuate.